Planet për formimin e ushtrisë së Kosovës duket se kanë marrë më në fund edhe “bekimin e fuqive ndërkombëtare”. Pas një kundërshtimi të gjatë, NATO dhe SHBA janë shprehur pro planeve për fuqizimin e Forcave së Sigurisë së Kosovës, edhe pse kanë vendosur disa kushte. NATO ka deklaruar se mbështet zhvillimin e vazhdueshëm të FSK-së, por se ndryshimet e mëdha duhet të konsultohen me të gjitha komunitetet e prekura dhe me NATO-n.
“Është e rëndësishme që çdo iniciativë lidhur me mandatin e Forcave të Sigurisë së Kosovës të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s,” thanë përfaqësues të NATO-s për BIRN.
Sipas aleancës ushtarake, FSK-ja është një forcë profesionale dhe burim stabiliteti rajonal. NATO thekson gjithashtu se aleanca mbetet e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës përmes operacionit të saj drejtues, KFOR-it.
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është shqetësimi kryesor i Ministrisë së Sigurisë së Kosovës dhe një ndër prioritetet e autoriteteve të Prishtinës. Në këtë proces, thotë Zv/Ministri i FSK-së, Burim Ramadani, Kosova ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara si në aspektin strukturor, po ashtu edhe atë stërvitor. Gjithashtu, Ramadani thotë se Kuvendi ka konsensus për votimin e projektligjeve të FSK-së.
Pas takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis më 28 shtator, Haradinaj tha gjithashtu se SHBA-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj.
“Sekretari Mattis konfirmoi edhe njëherë përkrahjen e fortë për FSK-në dhe procesin që lidhet me transformimin e kësaj force”, deklaroi Kryeministri.
Projektligjet për zgjerimin e mandatit të FSK-së do të dërgohen së shpejti në parlamentin e Kosovës, pasi të jenë miratuar nga qeveria e Kosovës dhe komisioni parlamentar për çështjet e brendshme, sigurinë dhe mbikëqyrjen e FSK-së. Siç ndodh rrallë në Kosovë, projektligjet u mbështetën në komisionin parlamentar nga të gjitha partitë politike, me përjashtim të Listës Serbe. Përfaqësuesit serbë i marrin udhëzimet për shumicën e çështjeve nga vetë Beogradi, i cili kundërshton fuqimisht idenë që Kosova që ketë një ushtri zyrtare.
“Ne po bëjmë punën tonë, nga Presidenti, tek Kryeministri dhe të gjithë deputetët”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli. Ai i referohej FSK-së si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje ditësh apo javësh…. FSK-ja është UÇK,” tha ai.
Gjatë vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë tentuar disa herë të ndryshojnë mandatin e FSK-së, për ta bërë atë një ushtri të rregullt. Megjithatë, këto plane nuk kanë marrë shumicën parlamentare që përcakon kushtetuta, dy të tretat e të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e 20 deputetëve joshqiptarë.
Deputetët serbë të Kosovës, të cilët mbajnë 10 nga 20 vendet e rezervuara për komunitetet joshqiptare, kanë bllokuar çdo iniciativë të tillë.
Në pranverë të vitit 2017, Presidenti Hashim Thaçi u përpoq ta anashkalonte këtë bllokadë duke propozuar ndryshime që do të zgjeronin përgjegjësitë e FSK-sëm pa përfshirë kalimin e amendamenteve kushtetuese. Por aleatët perëndimorë të Kosovës, duke përfshirë NATO, kundërshtuan hapur këtë ide.Megjithatë, Thaçi tha pak ditë më parë se FSK-ja së shpejti do të kishte një mandat të ri.
Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani deklaroi se pas shndërrimit në një forcë të armatosur, FSK-ja do të kalojë nëpër 3 faza në 10 vitet e ardhshme. I pyetur për numrin e ushtarëve që do ketë forca ushtarake , Ramadani tha se FSK-ja do të ketë 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë pjesëtarë rezervë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.