Kombetarja

Nations League/ Silvinjo dhe Ismajli përpara ndeshjes me Gjeorgjinë: Nesër luajmë vetëm për rezultat pozitiv

Nga Gazeta Si- Pas ndeshjes me Çekinë, Kombëtarja do të luajë nesër ndeshjen e dytë të muajit tetor ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Nations League. Në prag të kësaj sfide, trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Ardian Ismajli dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet ndeshja, “Mikheil Meskhi”.

Trajneri Silvinjo tha se Shqipërisë i duhet vetëm rezultat pozitiv nesër në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë për të arritur objektivin që është vendi i parë në grup. Trajneri vlerësoi Gjeorgjinë, ndërsa iu rikthye ndeshjes së parë me këtë kundërshtar në Tiranë, komentoi mungesat e Gjeorgjisë dhe foli për skuadrën, ndërsa nuk dha asnjë detaj rreth formacionit që pritet të hedhë nesër në fushë.

“Kçorashvili është një lojtar i madh, por themi se janë një ekip i fortë, taktikisht i rreshtuar shumë mirë, ka edhe shumë lojtarë të mirë. Është një ekip i fortë, fizikisht, taktikisht, ka cilësi teknike, nisen në kundërsulm me shumë kualitet. Thuajse gjithmonë shkojnë në portë. Ai është mungesë e rëndësishme se është lojtar i mirë, por jam i sigurt se kush shkon në fushë do jetë me 100 km/orë. Nuk ndryshon gjë për ne, është ekip i fortë për t’u mundur, nuk është ekip i thjeshtë”, tha tekniku kuqezi.

Ai foli edhe për formacionin e mundshëm, si dhe lodhjen me Çekinë apo problemet fizike të lojtarëve.

“Por ta lëmë pas krahëve Çekinë dhe nesër është ndeshje e vështirë, ky është një grup ku ka ndarje pikësh, në çdo ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Nuk e dimë ende, kemi bërë një udhëtim të gjatë nga Praga këtu, kemi ardhur vonë në hotel, do ta kuptojmë nesër. Kemi stërvitjen, të flasim me lojtarët dhe nesër kemi një ditë kohë që të vendosim. Ne kemi lojtarë që mund të hyjnë në fushë dhe i besojmë 100%, por zgjedhjen do ta bëjmë nesër”, tha Sylvinho.

Kurse për nevojën e pikëve dhe rezultateve ai ishte mëse i qartë, se do luajnë vetëm për fitore, pasi u duhen pikët në situatën ku gjenden.

“E vërtetë, çdo rezultat që nuk është pozitiv nuk na shërben, na shërben fitorja, tre pikët. Por është e drejtë që nëse flasim për nëntorin që kemi mbylljen e grupit në shtëpi me një avantazh të lehtë, ne duhet të marrim pikë. Nesër është shumë e rëndësishme për ne, ne duhet të shkojmë përsëri në 100%. Ata janë të fortë, por edhe ne, duhet të shkojmë në fushë. Duhen marrë pikë nesër, se përndryshe bëhet e vështirë që të arrijmë objektivat”, u shpreh trajneri para gazetarëve.

Ai shtoi se e kishte parashikuar dhe thënë që në fillim se “grupi ishte i balancuar” dhe se “do ndaheshin pikët”.

“Do të jetë shumë e vështirë, mund të ndodhë gjithçka. Te ndeshja e parë, humbja për ne, ishte sipas meje në një ndeshje 50-50, ndeshje të vështirë taktike e  fizike. Gjeorgjia është një ekip i madh, Sanjol po bën një punë shumë të mirë prej kohësh, po bën shumë mirë, ka në ekip lojtarë të mëdhenj europiane. E kemi parë ndeshjen, por duhet të mundohemi të bëjmë diçka ndryshe, por po luajmë jashtë, do të jetë e vështirë, të shohim nëse duhet ndërruar ndonjë lojtar. Por më e rëndësishme është të dalim në fushë dhe të bëjmë gjithçka”, tha Sylvinho.

Ai nuk mungoi respektin për Gjeorgjinë, por theksoi se “nuk kemi kohë për të humbur, do të jetë një ndeshje e vështirë dhe duhet shmangur çdo gabim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë