Vizatimi që Vincent van Gogh bëri për pikturën e tij legjendare “Natë me yje” (1889) mbahet i fshehur në një vend sekret në Rusi. Kështu të paktën pretendon një specialist i pikturës së Van Gogh-ut. Vizatimi me bojë u vodh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mendohej i humbur.
Bërë për të vëllanë, Theo van Gogh , më 1889 –ën, vizatimi i Vincent-it i përkiste muzeut të artit, “Kunsthalle Bremen”, prej vitit 1918. Gjatë luftës së Dytë Botërore u transferua drejt një kështjelle, ku më pas u plaçkit nga Ushtria e Kuqe, u vendos në një valixhe dhe u transportua me një traktor drejt Bashkimit Sovjetik.
Valixhja, në pronësi të Victor Baldin-it, një oficer i Ushtrisë së Kuqe, kishte brenda edhe 363 vizatime të tjera, që përfshinin vepra të Albrecht Dürer, Paolo Veronese, Anthony van Dyck, Rembrandt, Giovanni Battista Tiepolo, Edgar Degas dhe Henri de Toulouse-Lautrec.
Baldin punoi pas lufte si kurator në Muzeun Rus të Arkitekturës dhe i dorëzoi institucionit veprat e vjedhura, që të mund të ruheshin, në fshehtësi.
Veprat më të rëndësishme të Bremen-it ishit lëvizur fshehtas, në mjediset e Muzeut Shtetëror “Hermitage”, ku edhe mbeten ende, sipas studiuesit të Van Gogh-ut, Martin Bailey. Të gjitha ndodhitë e vizatimit “Natë me yje” rrëfehen me hollësi në librin e Bailey-it, “Natë me yje: Van Gogh-u në Çmendinë”, i cili sapo ka dalë në libraritë botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.