Nata e mbrëmshme nuk ka qenë aspak e qetë për Veriun e Kosovës ku janë shënuar shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri.
Një prej shpërthimeve u dëgjua rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetri në orën 3:00 afër Zveçanit.
Mediat e Kosovës raportojnë se të shtëna me armë ka patur edhe në Zubin Potok, por të dhënat e deritanishme nuk flasin për të lënduar.
Tensionet nisën kur pala serbe përdori makineri të rënda duke krijuar barrikada, të cilat raportohet të jenë shtuar gjatë natës. Po ashtu forcat serbe kanë ngritur edhe çadra për të qëndruar dhe bllokuar rrugët.
Situata u tensionua pasi gjatë së shtunës u arrestua ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, ku siç njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, prangosja erdhi nën dyshimin se ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Gjatë pasdites së të shtunës, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në Veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e Pantiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.