Trashëgimi

Nata e tretë e Festivalit Folklorik me grupet artistike nga qarku i Tiranës dhe Dibrës  

Nga Gazeta Si - Festivali Folklorik Kombëtar ka vijuar në natën e tij të tretë me grupet e qarkut të Tiranës dhe të Dibrës, si dhe grupin përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës.

Në kalanë e Argjirosë ansambli “Tirana”, ky xhevahir i Tiranës, i përbërë nga artistë të rinj, përfaqësoi qarkun e Tiranës me fabulën “Rituali i jetës”, që flet për të gjitha proceset e jetës nga lindja në vdekje, duke marrë duartrokitje të ngrohta nga publiku.

Nga grupi folklorik i Tiranës nuk kanë munguar as këngët e vajit e ninullat për të vijuar më pas me vallet: si valle vënçe e burrave të malësisë, valle e Tombrës, valle dyshe e brezave, valle e pipëzave, valle e rrugës.

“Flakë e ndezi Tirona jonë sonte kalanë e Gjirokastrës”, shkruan koreografi Arian Sukniqi, pjesë e Ansamblit “Tirana”.

Ndërkohë, grupi i polifonisë së këtij ansambli do të përfaqësojë qarkun e Gjirokastrës me këngën lirike “Zërin nga gjyshërit e muarrëm” në datën 30 qershor.

Ansambli folklorik “Tirana” ka në repertorin e tij valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, valle nga Shqipëria e Mesme, valle nga Shqipëria e Jugut dhe valle nga Shqipëria e Veriut. Këta artistë mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.

Ndërsa, Dibra e nisi festivalin me ritin e jetës baritore të zonës së Kalasë së Dodës. Më pas, një valle dyshe burrash nën interpretimin e valltarëve Rakip Pashnjari dhe Gjuran Ilnica.

Motive folklorike nga Dibra paraqiti natën e parë të hapjes së festivalit edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në repertorin e këtij Ansambli ishin kënga “Fusha e Korabit”, “Këngë për Suf Xhelilin”, “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” si dhe “Vallja e Dibrës”.

Festivali Folklorik Kombëtar 2023 nisi më 24 qershor në kalanë e qytetit të Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të mbyllet më 1 korrik 2023.

Në këtë festival pritet të ngjiten në skenë mbi 1200 artistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha në hapje të festivalit, se synohet që Festivali Folklorik i Gjirokastrës të regjistrohet në UNESCO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë