Ne rrjet

Nata e parë ‘e tmerrshme’ në qeli e ish-presidentit Sarkozy

Sport, shkrim, tre takime në javë. Avokati: Ka shumë zhurmë; dita e parë në burg ishte e tmerrshme." Arrest shtëpiak pas dy muajsh.

Gazeta Si – “Nuk është Club Méditerranée”, – tha avokati Jean-Michel Darrois mbrëmjen e të martës, ndërsa doli nga burgu La Santé, pasi vizitoi klientin e tij Nicolas Sarkozy.

Ish-presidenti francez, kaloi natën e parë pas hekurave në burgun francez La Sante në Paris, i dënuar me 5 vjet për konspiracion.

“Ai luajt sport, filloi të shkruante librin e tij. Është në një qeli nëntë metra katrorë dhe është shumë e zhurmshme gjatë gjithë kohës”, – vijoi avokati, i cili shtoi se Sarkozy pati mundësi të takohej me gruan e tij, Carla Bruni për herë të parë pasdite, në një nga tre takimet njëorëshe në javë për të cilat ai ka të drejtë.

“Dita e parë në burg ishte e tmerrshme, por ai e ka kaluar atë”,  përfundoi avokati. Një ditë që filloi në orën 9:37 të mëngjesit, kur makina tip “Renault Espace” e errët e Nicolas Sarkozy hyri në burgun Montparnasse, i vetmi që ekziston ende brenda mureve të Parisit. I mbipopulluar, burgu mban 1,237 të burgosur kur kapaciteti i tij maksimal është 657.

Ish-presidenti nuk po mbahet në seksionin “vulnerabël”, i cili më parë ka mbajtur personazhe të tjerë të famshëm, si Bernard Tapie, por në izolim, jo ​​për shkak të një dënimi më të ashpër, por për t’u siguruar që ai të mos bjerë në kontakt me të burgosur të tjerë që mund të kërcënojnë sigurinë e tij.

Me të mbërritur, ai u prit nga britma – jo tamam miqësore – nga të burgosurit e tjerë, “Oh, mirë se erdhe Sarkozy!” dhe “Sarkozy është këtu!”

Atij iu dhanë rregullat e burgut dhe iu kujtua pse ishte në burg: për konspiracion kriminal në rastin e financimit libian të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007.

Rojet më pas i morën gjurmët e gishtërinjve dhe një foto dhe atij iu caktua një numër i të burgosurit, së bashku me një kartë identiteti të brendshme të burgut.

Sarkozy u detyrua të linte dokumentet e tjera dhe sendet personale në një kasafortë të vogël, por iu lejua të mbante unazën e martesës dhe të hiqte mjekrën.

Më pas, si çdo i burgosur tjetër, ai mori një “kit hyrjeje” me sapun, çarçafë, tenxhere dhe tiganë, letër dhe një stilolaps.

Ai u shoqërua në qelinë e tij, e cila ka një banjo me dush, një kuzhinë të vogël, një krevat, një tavolinë të vogël, një televizor të vogël dhe – telefonat celularë janë të ndaluar – një linjë telefonike fikse me 10 numra të paraautorizuar nga administrata e burgut, e cila mund të dëgjojë bisedat.

Me këshillën e avokatëve të tij, ish-presidenti solli disa bluza për ta mbrojtur nga të ftohtit dhe tapa veshësh.

Pjesa më e vështirë është nata, sepse rojet, veçanërisht në fazën fillestare të paraburgimit, i ndezin dritat çdo orë për të kontrolluar të burgosurin për tendenca vetëvrasëse dhe sepse është praktikë standarde që të burgosurit e tjerë të brohorasin emrin e të sapoardhurit gjatë gjithë natës së parë. Në fakt, edhe si ish-ministër i Brendshëm i Francës, Sarkozy nuk ka qenë kurrë i butë me kriminelët.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë