Nga Gazeta Si – Mbrëmjen e së hënës u mbajt nata e parë e Festivalit të ’61 në RTSH i konsideruar prej vitesh si një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare.
13 artistët e parë që konkurruan interpretuan Live këngët e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit.
Njëri pas tjetrit u ngjitën në skenë këngëtarët; Enxhi Nasufi, Erma Mici Fabian Basha, Anduel Kovaçi, Fifi, Urban Band, 2 Farm, Sara Kapo, Rezarta Smaja, Albina dhe familja Kelmendi, Sergio Hajdini, Luna Çausholli, dhe Rovena Dilo.
Nata e parë e festivalit erdhi nën moderimin e Arbana Osmanit. Në skenën e Fest ‘61, në Pallatin e Kongreseve, një monolog emocionues, kushtuar grave viktima të dhunës në familje, solli aktorja e mirënjohur, Margarita Xhepa. Një interpretim për t’i dhënë zë të gjitha atyre grave që kanë nevojë për fuqi për t’i thënë stop dhunës.
Këtë vit janë 26 këngëtarë në garën për çmimin e madh në Festivalin e 61 të këngës në RTSH, 16 prej tyre janë artistë të njohur të skenës dhe 10 këngëtarë të rinj dhe grupe alternative që garojnë për 5 çmime të rëndësishme që do të caktohen nga një juri profesioniste.
Për herë të parë kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2023 do të zgjidhet nga votat e publikut, ndërsa çmimi i parë, i dytë dhe i tretë do të përcaktohet nga juria profesioniste.
Producenti Genc Salihu, këngëtarja Alma Bektashi, profesor Zhani Ciko, poetja Rita Petro dhe këngëtari Elton Deda do të marrin vendimin se kujt do t’i shkojnë çmimet për 3 vendet e para në Fest ‘61, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën.
Po ashtu, në krah të jurisë profesioniste në këtë edicion është edhe juria e medias, një risi e sjellë nisur nga fakti se Festivali i Këngës në RTSH ka patur gjithnjë mbulim të gjerë në media. Alida Cenaj, gazetare karriere, Jerida Sakaj gazetare e RTSH, Luela Myftari gazetare A2CNN dhe Xhani Shqerra prezantues, Jetona Kocibelli gazetare e Top Channel do të kenë mundësinë të vlerësojnë artistët debutues dhe sëbashku me jurinë profesioniste do të japin çmimin e artistit më të mirë debutues të martën mbrëma dhe të vendosë 5 këngëtarët që do kalojnë në natën finale.
Në mbyllje të natës së parë nuk munguan as batutat e aktores Olta Daku. Festivali do të vijojë edhe për tre net të tjera në datat 20, 21 dhe 22 dhjetor.
Fituesi i këtij edicioni, si çdo vit, do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që do të mbahet në Liverpul të Anglisë.
Një vit më parë, në edicionin e 60-të u shpall fituese kënga “Sekret” kënduar nga Ronela Hajati, e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2022”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.