Në Ditën e Ujit të Bekuar dhe në të njëjtin aktivitet ku merrte pjesë edhe Ilir Meta, ish-ministri i LSI-së, Nasip Naço i bashkohet Partisë Socialiste dhe e quan eksperiment politik partinë e themeluar nga Presidenti.
Naço e njoftoi largimin e tij nga LSI dhe afrimin me PS në krah të Blendi Klosit, gjatë ceremonisë së hedhjes së kryqit në Berat.
“Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike. S’ka nevojë për njerëz që janë vasalë të dikujt tjetër, por kanë nevojë të përfaqësojë një pjesë të elektoratit në Berat, i cili është i papërfaqësuar që kërkojnë që votat e tyre të shkojnë për të majtën progresiste. Eksperimentet janë të së kaluarës. E ardhmja i përket të majtës progresiste. Berati dhe Shqipria nuk kanë më nevojë për eksperimente poltike. Kanë nevojë të ecin përpara. Kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI bashkë me PS. Sot jam me z.Klosi dhe në të ardhmen do të jem në krah të zotit Klosi“, tha Naço.
Nga LSI e kanë minimizuar këtë largim. Drejtuesi i Qarkut të Beratit të kësaj force politike, Ardit Çela tha se objektivi i LSI ëshyë forcë e parë në Berat.
“Jemi përditë në mesin e njerëzve të mrekullueshëm e të ndershëm të Qarkut të Beratit. LSI forcë e parë në Qarkun e Beratit. Nuk kemi kohë të merremi as me Blendi Klosin, e jo më me shoqëruesin e pestë të tij”, shkruan Ardit Çela.
Naço është largimi më i bujshëm nga radhët e LSI-së deri më tani, por jo i pari. Në mes të dhjetorit, Elez Gjoza, drejtuesi i LSI-së në njësinë 2 në Tiranë, një nga zonat ku kjo parti ka regjistruar më shumë vota në kryeqytet, iu bashkua publikisht po Partisë Socialiste.
Hemoragji nga LSI te PS ka patur nga bazat e partisë së drejtuar nga bashkëshortja e Presidentit edhe në Farkë, Vaqarr, Laprakë dhe njësinë 3 në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.