Gazeta Si – Kishte 8 fitore pa pësuar gol Juventusi, por me Napolin kryesues ishte një tjetër histori. Bardhezinjtë janë poshtëruar nga skuadra vendëse në ‘Maradona’. Skuadra e Alegrit u mund thellë, 5-1, duke treguar se nuk mund ta rivalizojë dot makinerinë e Spaletit në garën për titull.
Dyshja Osimhen-Kvaratshkelia ishte e papërmbajtshme. Nigeriani shënoi golin e parë pas 14 minutash, pasi Shezni kishte grushtuar një gjuajtje spektakolare të gjeorgjianit. Më pas ky i fundit dyfishoi shifrat me një gjuajtje të saktë brenda zonës.
Di Maria rihapi ndeshjen në fundin e pjesës së parë, ndërsa më parë kishte goditur traversën, pas një gabimi në pasim të Amir Rrahmanit. Mbrojtësi kosovar e shleu këtë gabim me golin e tretë për Napolin. Në zhvillimet e një goditjeje këndi, Rrahmani gjuajti fort në qendër të zonës, duke tundur rrjetën.
Osimhen regjistroi dopietën personale pas një krosi perfekt të Kvaratshkelias, por duke përfituar edhe nga përgjumja e mbrojtjes së Juventusit. Në listën e golashënuesve do të shënonte emrin edhe maqedonasi Elmas, i futur në fushë në pjesën e dytë.
Një humbje e rëndë kjo për Juventusin, kurse Napoli, me këtë rezultat, por mbi të gjitha me lojën që prodhon, ka vërtetuar se në këtë kampionat nuk ka rivalë dhe titullin kampion mund ta humbasë vetëm ai. Diferenca me vendin e dytë ka shkuar në 10 pikë për momentin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




