Gazeta Si – Intuita e Xhuntolit dhe De Laurentis nuk ka gabuar, pastaj puna e Spaletit ka bërë që vlera e lojtarëve të rritet ndjeshëm në merkato. Sidomos ajo e nigerianit dhe gjeorgjianit.
Mbi 30 vjet më parë Maradona finalizonte me titullin kampion përallën e shkruar me dorë në atë kohë, kur fuqitë e mëdha numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Titulli i tanishëm ndërkohë është një histori e mbushur me zgjedhje pikante, që sollën këtë ekip të denjë për të përballuar markat e mëdha të futbollit të globalizuar.

Vendimtare strategjia e De Laurentis, me punën e madhe të Xhuntolit. Ata ndërtuan një skuadër të re, me moshë mesatare 26.1 vjet, duke nisur një cikël teknik në evolucion të plotë. Janë larguar Insinje, Kulibali, Fabian Ruiz e Mertens, por Napoli, me zgjedhjet e bëra, e lejoi Spaletin t’u jepte vlera lojtarëve që kishte në skuadër.
Në fillim të sezonit vlera totale e Napolit ishte 500 milionë euro, kurse tani ka arritur në 650 milionë euro. Janë sulmuesit Osimhen dhe Kvaratskhelia ata që ia kanë rritur më shumë vlerat grupit. Kërkesat për këta lojtarë janë të mëdha aktualisht, por Napoli kërkon 150 milionë për nigerianin dhe 100 milionë për gjeorgjianin.
I kanë rritur vlerat e tyre edhe lojtarët e tjerë të Spaletit, nga të stazhonuarit Zielinski e Lozano, tek ata më të rinjtë, si Labotka e Kim. Po ashtu edhe Rrahmani, shqiptari i dytë që shpallet kampion në Itali, pas Naim Kryeziut me Romën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




