Futboll

Napoli e Inter me “5 yje”, por Juventus është makineri e pagabueshme

5-1, fitoi Napoli kundër Empolit, të njëjtën gjë bëri edhe Inter pak më mirë me Xhenoan, që e mposhti 5-0. Dy rezultate që të bindin se të të dyja këto ekipe janë të denja për t’u përballur me Juventus. T’i marrës Juventus Serie A duket si një ëndërr vere për çdo ekip apo tifoz në Itali, pasi torinezët e fitojnë këtë titull prej 7 vitesh rresht. Edhe në këtë fundjavë, ku të gjithë shpresuan në një hap fals të bardhezinjve dhe rihapje të kampionatit, “zonja e vjetër” nuk gaboi. Duket si një makineri që punon në mënyrë perfekte, pasi kur një hallkë nuk funksionon (Ronaldo), hallka tjetër është gati për t’u futur në punë (Dybala)

Mund të luftojnë Inter dhe Napoli për skudeto?

Në dy sezonet e fundit të vetmet skuadra që i kanë hapur probleme Juventus janë Napoli dhe Inter. Të kaltrit sezonin e shkuar ishin shumë pranë, por në mars, në 10 javët e fundit treguan dobësi dhe Juventus bëri diferencën, duke marrë trofeun e 7-të radhazi. Nëse do të krahasonim pikët e këtyre tre ekipeve me ato që kanë marrë në 11 javët e para vitin e shkuar dhe ato që kanë marrë këtë sezon, Juventus ëhstë superior. Bardhezinjtë në 11 javët e para sezonin 2017-18 kishin mbledhur 28 pikë, ndërsa këtë vit kanë 3 më shumë. Napoli vjet në 11 javë arriti të grumbullonte 31 pikë, ndërsa këtë sezon ka 6 pikë më pak. Edhe Inter ka rënie, por më të vogël. Zikaltërit sezonin e  shkuar në 11 javët e para kishim mbledhur 29 pikë, ndërsa ky vit në 11 javë i gjen me vetëm 25 pikë. Ky sezon përsëri ngjan me atë të shkuar, por me disa ndryshime të vogla për të treja ekipet.

Juventus me më shumë muskuj

Nëse ndonjë skuadër tjetër pas 7 titujve rresht do të lodhej dhe do të kërkonte të paktën një sezon pushim, te Juventus kjo fjalë nuk ekziston. Këtë verë në Torino ka zbarkuar Kristiano Ronaldo dhe është rikthyer Bonuçi. Por nuk janë vetëm këta dy lojtarë, pasi edhe rritja e vazhdueshme e Dybala dhe Bentakur, apo afrimi i Kanselo kanë bërë që bardhezinjtë këtë sezon të jenë të frikshëm edhe jashtë Italisë. Nga 33 pikë të mundshme në 11 javë kampionat, Juventus ka marrë 31, duke lënë vetëm 2 në një barazim me Xhenoan. Me këtë lloj forme, lojtarët në përbërje dhe motivimin që ekziston në ambjentin torinez do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që Juventus t’ia marrësh titullin kampion këtë edicion. Alegri deri në këto momente ka ditur të ruaj balancat brenda ekipit, qoftë sa i përket minutave në dispozicion, por rolin që duhet të kenë në dhomat e zhveshjes, duke i lënë pak a shumë të gjithë të kënaqur.

Inter i plotësuar dhe me besim

Në javën e fundit të kampionatit Inter arriti të siguronte biletën e tij për Ligën e Kampionëve. Duket se kjo arritje në sezonin e shkuar është baza për të ringritur Interin e madh. Spaleti gjatë verës nuk bëri një merkato të çmendur, por mori lojtarët që i duheshin. Deri më tani, duke përjashtuar javët e para skuadra ka reaguar mirë dhe dy fitoret e fundit janë konfirmimi më i mirë me 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Duhet pak guxim për të menduar se Inter mund të luftojë për titullin kampion, por gjithsesi zikaltërit janë aty të gatshëm për të keq sa herë të t’ju jepet mundësia. Vendimtare do të jeta sfida e fillimit të dhjetorit, ku do të zbresë në fushë kundër Juventus.

Napoli i  njëjtë, por me “Don Carlo” në stol

Në dekadën e fundit nëse Juventus ka pasur një skuadër që e ka shqetësuar sistematikisht, ajo është Napoli. Të kaltrit këtë sezon kanë nisur një epokë të re ne Karlo Ançelotin në stol. Ndryshimet në përbërjen e ekipit janë fare minimale dhe skuadra e De Laurentis do të tentojë sërish të marrë trofeun në shtëpi, duke u përpjekur të shmang gabimet e sezonit të shkuar. Sigurisht për këtë pjesë, eksperienca e Ançelotit do të jetë shumë e vyer, por ajo humbje 3-1 në javën e 7-të me torinezët dhëmb shumë. Krahasuar me sezonin e shkuar, këtë vit Napoli ka 6 pikë më pak, por kjo nuk është shumë shqetësuese, pasi të kaltrit janë sërish aty, në treshen e parë të tabelës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë