Lojëra me Dore

Naomi Osaka tërhiqet nga Roland Garros: Është më e mira për të gjithë

Naomi Osaka, numri 2 në botë i tenisit të femrave ka njoftuar papritur në Tuiter se ka vendosur të tërhiqet nga turneu prestigjioz Roland Garros. Një vendim drastik, që vjen pas disa ditësh me polemika dhe tension në Paris në lidhje me zgjedhjen e saj për të mos marrë pjesë në konferencat e shtypit të programuara, çka mund t’i kushtonte gjobë dhe një skualifikim të mundshëm.

Naomi Osaka. Gazeta Si, 1 qershor 2021

Këtij rreziku Osaka ka dashur t’i paraprijë. “Do të marr pak pushim dhe do të diskutoj me WtA-në se si mund t’i administrojmë më mirë turnetë, gazetarët dhe tifozët. Më e mira për turneun, lojtarët e tjerë dhe për të mirën time është që të tërhiqem. Kështu të gjithë mund të përqendrohen te tenisi”, – shkruan japonezja në profilin e saj në Tuiter.

Më tej sportistja 23-vjeçare ka shtuar: “Jam një person i ndjeshëm dhe kush më njeh e di mirë se gjatë turneve eci nëpër fushat e tenisit me kufjet në vesh, sepse muzika më ndihmon që të largoj ankthin. Nuk jam një oratore e lindur dhe kur flas në publik duhet të kontrolloj disa dallgë emocionale të forta. Për mua kjo bëhet shumë stresuese dhe e kam të vështirë të përqendrohem për të dhënë më të mirën e mundshme në ndeshje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë