Kryeministri Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë që Fatos Nano të pasojë Ilir Metën si President i vendit. Ai e cilësoi një aset për këshillat që i jep gjatë qeverisjes së vendit. Ai tha se Nano zgjodhi të largohej nga tavolina e shahut të politikës shqiptare dhe si njeri që i sheh gjërat në distancë janë të mirëpritura këshillat e tij.
“Duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të imponuara të çdo aktor që është në tavolinën e shahut ka të gjithë qetësinë për të më dhënë mendimet e duhura kur ja kërkoj. Do të thotë që jam unë që kërkoj mendimet e tij, dhe jo ai që m’i ofron mua”, deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi veten me fat që ka një paraardhës si Nano për t’i marrë këshilla.
“E vërteta është që diferenca në këtë rast është se ai nuk e ka pasur një paraardhës me përvojën e duhur dhe talentet e duhura për të nxjerrë nga përvoja përfundime për të ndihmuar pasaardhësin. Është aset dhe është një fat dhe kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me ata që e kanë pasur këtë mundësi përpara dhe të mund të ndihmojnë me mendimet e tyre”, vijoi ai.
Rama tha se të gjithë ata që kanë qenë në detyrën e tij sot e kuptojnë vetminë e majës. “Kush nuk ka qenë këtu nuk e kupton vetminë e majës”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i Qeverisë komentoi edhe një video virale të Lulzim Bashës të publikuar në rrjetet sociale nga bashkëshortja e tij, ku kreu i PD-së shfaqet duke gatuar në kuzhinë.
“Mendoj që është për t’u admiruar një njeri që gatuan me këpucë”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.