Futboll

Najdovski pozitiv dhe Shehi i izoluar, Covid-19 krijon telashe te Tirana

Situatë shqetësuese te kampionët në fuqi të vendit në prag të ndeshjes së javës së 20-të me Teutën. Mbrojtësi maqedonas, Filip Najdovski, ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në vendin fqinj, ku ndodhej për t’u grumbulluar me kombëtaren. Najdovski duhet të ndjekë tashmë atë çfarë parashikon protokolli, që do të thotë se duhet të karantinohet 2 javë dhe kështu ai do të humbë edhe ndeshje të tjera përveç Teutës.

Po ashtu, bardheblutë janë në ankth edhe për trajnerin Orges Shehi, i cili është izoluar në shtëpi, pasi dyshohet se është infektuar nga Covid-19, por ende nuk ka marrë përgjigjen zyrtare. Tirana vjen nga humbja me Kukësin dhe duhet të bëjë patjetër kthesën në kampionat, pavarësisht problemeve të shtuara tashmë nga Koronavirusi.

Orges Shehi, trajneri i Tiranës. Gazeta Si, 17 shkurt 2021

Rastet e infektimit me Covid-19 kanë qenë të pranishme në futbollin shqiptar gjatë kësaj periudhe, por jo në një numër të lartë. Thuajse të gjitha skuadrat kanë pasur lojtarë apo pjesëtarë të stafit që janë infektuar në kohë të ndryshme. Tani është radha e Tiranës, që duhet të luftojë edhe virusin për të dalë nga kriza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë