Gazeta Si – Një sasi prej rreth 670 mijë litra naftë nga Tunizia janë sekuestruar në Portin e Durrësit, bashkë me anijen që e transportoi sasinë.
Sipas policisë, në pranga janë vënë 3 persona. Bëhet fjalë për shtetasit Mohammd Kahilah (shtetas sirian, kapiteni i anijes), Eneo Cano (shtetas shqiptar, marinari) dhe Sushil Vema (shtetas indian, oficer i parë i anijes).
Teksa dy organizatorët e rastit janë shpallur në kërkim, do procedohen në gjendje të lirë 5 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes (shqiptarë dhe të huaj).
Mësohet se nafta u gjet në balastrat që shërbejnë për balancimin e anijes.
“Si rezultat i punës së inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DPPSh-së, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, Degës së Doganës Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ari i zi”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.