Gazeta Si – Gjykata e Durrësit ka caktuar “arrest me burg” për Alexey Smaznov, kapitenin e anijes, ku u sekuestruan 22.5o0 tonë naftë kontrabandë ruse.
Avokati i tij tha për mediat pas seancës se anija nuk ka importuar mall në Shqipëri, ndërsa anija ishte nisur nga Azerbajxhani.
“Malli nuk i përkiste as kapitenit të anijes, as ekuipazhit, por një subjekti tjetër. Duke marrë parasysh që anija nuk importoi mall në Republikën e Shqipërisë dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, ndalon importin, jo transportin. Në bazë të ligjit duhej vetëm anija të largohej. Nuk u dha pjesa arsyetuese”, tha avokati.
Sipas policisë së Durrësit mjeti lundures u sekuestrua pasi dyshohet se sasia e karburantit do të hynte kontrabandë në Shqipëri për t’u tregtuar.
Më 19 shkurt, në kuadër të operacionit “Embargo”, falë inteligjencës informative, policia bllokoi një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22.500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, pasi dyshohej se e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




