Treg

Nafta rritet sërish, arrin 221 lekë për litër edhe pse ende nuk ka vendim zyrtar nga Bordi

Çmimi i naftës është rritur gjatë ditës së martë në pikat e shitjes me pakicë të tregtimit të karburantit edhe pse bordi nuk e ka njoftuar zyrtarisht ndryshimin e çmimit.

Një litër naftë po tregtohet sot (22 mars) me 221 lekë për litër, nga 203 lekë për litër që ishte më parë ndërsa benzina me 211 lekë nga 206 lekë për litër që ishte para disa ditëve. Ndryshimi i çmimeve erdhi pas vendimit të djeshëm (21 mars) të Bordit të Transparencës, i cili për herë të parë nuk bëri një rishikim me ulje dhe nuk ka njoftuar zyrtarisht për këtë ndryshim.

Në bursa, nafta sot në mëngjes tregtohej 118 dollarë për fuçi, në rritje nga niveli më i ulët i muajit prej pak nën 100 dollarë rreth një javë më parë.

Përshkallëzimi i konfliktit Rusi-Ukrainë dhe shqetësimet për furnizimin me naftë po e shtrenjtojnë arin e zi në bursa. Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare.

 Pas kësaj rritjeje, Qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë