Nga Gazeta ‘Si’-Pas bursave ndërkombëtare, rritjen e kanë reflektuar edhe çmimet e naftës në vend.
Për të tretën herë brenda pak javësh, çmimet janë rritur me 5-7 lekë duke u tregtuar me rreth 190-192 lekë për litër në pika të ndryshme.
Nafta në pikat e tregtimit të Kastratit, operatori më i madh në vend, tregtohet me 192 lekë nga 185 lekë që ishte pak ditë më parë.
Benzina shitet me 196 lekë, nga 188 lekë që ishte më parë.
Që nga 15 korriku, kur filloi shtrenjtimi, nafta është rritur gjithsej me 16 lekë për litër duke arritur në nivelin më të lartë që nga mesi i marsit të këtij viti. Përpara se të niste vala e çmimeve, nafta në vend ishte në nivelin e 179 lekëve.
Arsyeja e shtrenjtimit sipas operatorvëve të tregut lidhet me shtrenjtimin e treguesit
Platts, që merret si referencë nga importuesit shqiptarë.
Të premten(11 gusht) ky tregues arriti nivelin 940 dollarëve /ton, niveli më i lartë që nga tetori i vitit të shkuar.
Çmimet botërore të naftës janë rritur më shumë se 15% që nga fillimi i korrikut,
Çmimet e naftës në bursat botërore janë rritur për të shtatën javë radhazi, periudha më e gjatë që nga 2022-shi.
Pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikoi një kërkesë rekord globale dhe shtrëngimin e furnizimeve, kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën me 41 cent, ose 0.5%, për të arritur në 86.81 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e naftës së papërpunuar të treguesit refrencë të Teksasit Perëndimor (WTI) fituan 37 cent, ose 0.5%, në 83.19 dollarë
Në raport javor, të dy treguesit u rritën me rreth 0.5%.
Çmimet botërore të naftës janë rritur më shumë se 15% që nga fillimi i korrikut, falë kërkesës së fuqishme dhe perspektivës për shtrëngim të ofertës globale, ndërsa anëtarët kryesorë të OPEC+ Arabia Saudite dhe Rusia vazhdojnë të frenojnë prodhimin dhe eksportet.
Në korrik, furnizimi me naftë nga aleanca OPEC + ra me 1.2 milion fuçi në ditë në nivelin më të ulët pothuajse dy-vjeçar pasi hyri në fuqi një reduktim vullnetar nga Arabia Saudite.
Në kahun tjetër, dollari, që është monedha me të cilën blihet nafta nga tregtuesit vendas vijon të mbetet në nivelet më të ulëta të të paktën një dekade. Të premten, një dollar, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë këmbehej me 94.5 dollarë, nga 108 lekë që ishte në mes të marsit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




