Treg

Nafta në Shqipëri më e shtrenjta në rajon, përveç Malit të Zi që shkak ka trazirat politike në vend

Bordi i Transparencës vendosi sot, 15 mars, që nafta me pakicë në vend të tregtohet me 211 lekë/litër deri ditën e nesërme, duke rezultuar përsëri mbi bursën ndërkombëtare.

Por edhe në vendet e rajonit, që shpesh herë merren si referencë nga autoritetet vendase për të shpjeguar skema të ndryshme, nafta shitet më lirë, përveç se në Malin e Zi, ku nafta tregtohet me 220 lekë/litër, 1.78 euro.

Kjo po ndodh për shkak të trazirave politike atje, ku nënkryetari i kuvendit, Strahinja Bulajic, i Frontit Demokratik (DF), refuzon të mbledhë seancën për të ulur taksat e akcizës dhe për të ndalur kështu një rritje të mëtejshme të çmimit të karburantit.

Në Maqedoninë e Veriut, një litër naftë shitet në vlerën e 88.5 dinarëve, pothuajse 180 lekë shqiptare. Vendimi merret pothuajse çdo ditë nga Komisioni i Energjisë në Maqedoni që përllogarit një mesatare të bursës ndërkombëtare dhe e vendos për tregun vendas.

Në Kosovë, qeveria disa ditë më parë vendosi një çmim maksimal për tregtimin e naftës, marzh fitimi deri në 4% nga çmimi fillestar i naftës për shumicën dhe deri në 6% për shitjet e pakicës. Pra, psh, nuk mund të tregtohet më shumë se një vlerë e paracaktuar nga përllogaritjet në përqindje.  

Në Serbi, vendi më i konsoliduar ekonomikisht në rajon, nafta do të shitet me 1.50 euro/litër deri më 11 prill 2022. Ky ishte një vendim i qeverisë në ditët e para të krizës europiane, ku u vendos tregtimi i naftës në rreth 185 lekë litri.

Gjatë javës së shkuar, nafta në vend arriti vlerën e 270 lekëve për litër, duke nxitur një situatë kaotike me protesta, akuza dhe debate publike.

Pas këmbënguljes së vazhdueshme të qeverisë se ata nuk mund të ndërhyjnë në një treg të lirë ekonomik, u krijua një bord menaxhimi. Qeveria, pothuajse çdo ditë do të vendosë fitimin dhe të ardhurat e operatorëve të hidrokarbureve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë