Treg

Çmimi i naftës, më i larti i viteve të fundit. Shoferët në protestë, do fikin makinat në rrugë

Gjatë dy javëve të fundit nafta për konsum në Shqipëri pësoi rritje me 3 lekë duke arritur në 169 lekë për litër. Në shumë pak kohë, tregu i naftës në vend pësoi luhatje me ulje-ngritje të paqëndrueshme.

Gjatë muajit shkurt 2021, nafta pësoi rritjen e parë dhe shumë të ndjeshme me 8 lekë ngritje, duke shkuar në 157 lekë për litër. Detaji që u vu re gjatë shkurtit qe se jo të gjithë kompanitë e tregtimit të naftës e rriten çmimin e saj.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, Shqipëria renditej e 17 në Indeksin Botëror të Naftës, nga niveli i lartë i çmimit.

Disa ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko lajmëroi se inflacioni ka prekur vetëm produktet e konsumit dhe naftën, por kjo është rritje e përkohshme që nuk do të zgjasë.

Të enjten e 15 korrikut, shoferët e transportit publik në Shqipëri kanë paralajmëruar një protestë ku nga ora 12:00 deri në 15:00 do të fikin makinat në rrugë.

Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se nëse çmimi i naftës vazhdon në këto nivele, do të rrisin çmimin e biletave për udhëtimin urban dhe ndërurban.

Në Europë ka ndodhur e njëjta gjë dhe ekspertët e lidhin rritjen e vlerës së naftës me rritjen e shpenzimeve pas pandemisë, procesin e vaksinimit, pasi stimulon transportin dhe tregjet lidhur me të. Një tjetër arsye që nafta ka pësuar rritje globalisht është edhe mungesa e furnizimit me naftë nga vendet e lindjes, ku vendet e organizatës OPEC kanë pasur konflikte me njëra-tjetrën duke pezulluar shumë sasi nafte të hyjë në treg.

 Gjatë pandemisë, në vendin tonë litri i naftës për konsum tregtohej me 148 lekë për litër, në nivelin më të ulët për 2-3 vitet paraardhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë