Treg

Nafta në botë arrin çmimin më të ulët për 2018-ën

Edhe pse në vendin tonë ka ndodhur e kundërta, çmimet e naftës kanë shënuar këtë të diel nivelin më të ulët në më shumë se një vit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 45.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 54.6 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2017.

Bursat në të gjithë botën kanë rënë ndjeshëm, pasi Rezerva Federale rriti normat e interesit. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA, rezervat e naftës ranë me 497 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 dhjetor, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.4 milionë fuçi.

“Reuters” bën të ditur se investitorët janë të shqetësuar për mbifurnizimin e tregut. Në përpjekje për t’i vënë fre rënies së çmimit të naftës, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit e tjerë ranë dakord në fillim të dhjetorit të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi naftë.

Por, kjo marrëveshje do të zbatohet duke filluar nga janari dhe prodhimi aktualisht gjendet në nivele rekord, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Arabia Saudite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë