Çmimet e naftës u rritën sot(6 shtator)mbi 90 dollarë për fuçi për herë të parë në 2023-shin pasi Arabia Saudite dhe Rusia thanë se do të zgjasin shkurtimet e tyre vullnetare të prodhimit dhe eksportit deri në fund të vitit.
Arabia Saudite, e cila drejton kartelin e zgjeruar të Opec+ me Rusinë, ka shkurtuar 1 milion fuçi shtesë në ditë nga tregu global që nga korriku, ajo që fillimisht u raportua si një masë e përkohshme.
Por duke e zgjatur tashmë shkurtimin deri në fund të shtatorit, media shtetërore e Arabisë Saudite raportoi se mbretëria do të mbajë reduktimin e saj prej 1 milion fuçi në ditë deri në fund të dhjetorit, duke cituar ministrinë e energjisë.
Rusia ka shtuar shkurtimet e saj vullnetare të eksporteve në muajt e fundit, me zëvendëskryeministrin Alexander Novak që shtoi të martën se reduktimi i eksportit prej 300.000 fuçi në ditë do të qëndrojë në fuqi deri në fund të vitit.
Lëvizja, e cila kërcënon të ringjallë shqetësimet për inflacionin globalisht, është përpjekja më e fundit e dy prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë për të rritur çmimet, pavarësisht se pjesa më e madhe e botës po përballet me kosto më të larta të energjisë. Kjo ka të ngjarë të rrisë tensionet me Shtëpinë e Bardhë, e cila ka kritikuar mbretërinë për bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë, pavarësisht nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Moska dhe armatizimi i saj i furnizimeve me gaz natyror në Evropë.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 1.2 për qind të martën, duke arritur 90 dollarë për fuçi për herë të parë që nga nëntori.
Brent është rritur rreth 15 për qind që kur shkurtimet hynë në fuqi në fillim të gushtit.
Media shtetërore e Arabisë Saudite tha se vendimi do të rishikohej ende çdo muaj, por theksoi se prodhimi mund të rishikohej lart ose poshtë, duke treguar se mbretëria nuk kishte përjashtuar shkurtimet e mëtejshme të prodhimit.
Njoftimi i fundit nënkupton se prodhimi i naftës në Arabinë Saudite ka të ngjarë të mbetet në 9 milionë fuçi në ditë deri në fund të dhjetorit, 25 për qind më i ulët se kapaciteti i saj maksimal prej 12 milionë fuçi në ditë.
Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




