Lojëra me Dore

Nadal ngre flamurin e bardhë: Jo Roland Garrosit, 2024-a ndoshta viti im i fundit!

Gazeta Si – Rafael Nadal ngre flamurin e bardhë për turneun Roland Garros dhe planifikon tërheqjen nga tenisi. Në një konferencë ta papritur shtypi ai ka folur me dëshpërim për situatën që po kalon.

“Rikuperimi nga dëmtimi nuk ka shkuar siç dëshironim. Kemi punuar shumë për rikthimin në fushë, por është e pamundur për mua të luaj në Roland Garros”, – ka thënë kampioni spanjoll, që ka humbur turnetë e Montekarlos, Barcelonës, Madridit dhe Romës.

Rafael Nadal. Gazeta Si, 18 maj 2023

“Është mëkat, – vazhdon Nadal, – që pas vitesh mungoj në këtë turne të rëndësishëm për mua. Është e vështirë, por trupi im ka vendosur kështu. Nuk do të luaj muajt e ardhshëm, duke parë që rezultatet e fundit kanë qenë të një niveli të dobët. Ndoshta 2024-a do të jetë viti im i fundit në fushë”.

Deklarata që nga njëra anë zgjatin më tej periudhën e ndalesës pas dëmtimit të pësuar në Australian Open, ndërsa në anën tjetër duket se përcaktojnë kohën e tërheqjes nga aktiviteti.

“Dua të luaj në mënyrë të vazhdueshme, por kam pasur gjithmonë shumë dëmtime. Është shumë e vështirë kur bëhet kaq e komplikuar për të luajtur, – ka saktësuar mëngjarashi spanjoll. – Ka pasur shumë fitore të rëndësishme, por e vërteta është se kanë qenë të komplikuara. Muajt e fundit kam punuar shumë për rikthimin, por nuk ia dola. Dua të marr kohë që të kthehem në nivelin më të lartë të mundshëm.

Nuk jam gati të luaj në Paris. Nuk dua të gjendem në një situatë jo të mirë. Viti 2022 ishte pozitiv, arrita të fitoj dy turne Slam, por nuk po arrij të argëtohem gjatë stërvitjes. Pas pandemisë nuk ka qenë aspak e lehtë”.

Për momentin Rafael Nadal nuk preferon të japë asnjë afat për rikthimin në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë