Vjen surpriza e parë e vërtetë në Australian Open: Aleksander Zverev është ndalur në 1/8-at, ku është mundur pas tre setesh nga Denis Shapovalov. Gjermani, numri 3 në botë, u mposht nga kanadezi 6-3, 7-6 dhe 6-3.
Ishte një ditë e keqe për 24-vjeçarin, që nuk mundi të impononte lojën e tij. Zverev nuk arriti kurrë ta vinte në vështirësi kundërshtarin.

Shapovalov do të ndeshet në çerekfinale me Rafael Nadal, i cili nuk ka zhgënjyer ka mundur në tre sete Adrian Manarino. Spanjolli triumfoi 7-6, 6-2, 6-2 ndaj francezit. Nadal mbetet kështu në garë për fitoren e dytë në karrierë në Australian Open. Tani i duhet të kalojë kanadezin Shapovalov për të shkuar në gjysmëfinale.
Te femrat, Barbora Krejçikova nuk gaboi dhe u kualifikua për në çerekfinale, duke mundur Viktoria Azarenkën me një dopio 6-2. Tenistja çeke u tregua cinike dhe shfrytëzoi topat “break”. Krejçikova do ndeshet me Medison Kejs, që eliminoi numrin 6 të klasifikimit, Paula Badosa Gibert 6-3, 6-1.
Një tjetër teniste e “top 10” që ka dalë nga skena është Maria Sakari. Grekja u eliminua 7-6, 6-3 nga amerikania Xhesika Pegula.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



