Sali Berisha më shumë se çdokush e di që fitoren, edhe kur ajo duket e pamundur, mund ta ketë nëse ka numra.
Sali Berishës i duhet PD-ja për të krijuar një koracë mbrojtëse nga “represionet” e mundshme pas shpalljes non-grata, por më shumë se selia dhe nishanet partiake, i duhen njerëzit.
Megjithëse ai di ta zgjidhë nga apatia dhe ta lëvizë turmën, ata që ka pas vetes ende nuk mund ta ndryshojnë raportin e forcave dhe situatën në favor të tij. Ai i preku një pjesë të demokratëve në telat e pakënaqësisë ndaj Bashës kur foli për hapjen e partisë, fuqizimin e votës së anëtarit, legalizimin e fraksioneve, etj. Por po kaq dyshues mund të ketë bërë nga krahu tjetër demokratë që shikojnë tek Berisha njeriun që pikërisht këtyre problemeve që kishin kohë që po zienin, iu vuri kapakun e rëndë dhe mbi të Bashën. Të gjithë energjinë e pakënaqësisë të akumuluar brenda partisë, tani Berisha po mundohet ta zotërojë personalisht dhe ta drejtojë kundër Bashës megjithëse ishte ai që mbylli thesin e erërave. Këtë demokratët e Bashës, por dhe të tjerë në zonën gri e kanë kuptuar. Ndaj Berishës i duhen tone me ngjyra jo vetëm blu. I duhet që lëvizjes së tij t’i veshë motive më të forta, që mund t’i gjejë vetëm te populizmi. Berisha është mjeshtër i populzimit, pasi ka mundur të ringrihet dhe vijë në pushtet edhe kur mendohej se ishte në fund të honit. Ai kërkon të gjejë përkrahës përtej vathës së tij politike dhe kush më mirë sesa ndjesitë nacionaliste, shqiptarizmi konservator, mund ta zgjojë vëmendjen dhe solidaritetin e një publiku të lodhur.
Për këtë arsye përmes një prerje të artë “argumentesh” sipas tij dhe qëllimesh, Sali Berisha vendosi të protestojë kundër Ballkanit të Hapur.
Për gjendjen e tij politike, statusin non-grata, dhe kurthin anti-amerikan ku ka rënë, Sali Berisha ia ka faturuar filantropistit Xhorxh Soros. Ai e shikon Sorosin si ideatori i skenarit kundër tij siç e shikon Soros edhe ideatorin dhe mbështetësin e Ballkanit të Hapur. Duke goditur Ballkanin e Hapur, Sali Berisha godet Soros. Me një gur kërkon të vras disa zogj: Soros, serbin Vuçiç dhe shqiptarin e korruptuar sipas tij Edi Ramën. Për këtë po u thotë demokratëve pse i duhet partia.
Duke lënë mënjanë Bashën sot, të cilit nuk mundi t’i merrte dot selinë dje në mbrëmje, Sali Berisha kërkon t’i japë lëvizjes së tij për qëllime të pastra individuale, ngjyra patriotike. Ai kërkon të ngre dronin e tij politik me bajrakun e shqiptarizmës për të pasur poshtë në fushën e betejës së tij më shumë përkrahës, më shumë forca dhe apriori dhe më shumë legjitimitet për çdo lëvizje të mëtejshme.
Sali Berisha që proteston sot kundër marrëveshjeve rajonale nën strehën e Ballkanit të Hapur ka qenë i njëjti një vit më parë kur në shtator u nënshkrua në Washington me ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës. Shprehimisht ia ka thënë “Marrëveshja do shënojë një kthesë të madhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal”.
Atëherë si ka mundësi i njëjti njeri, dy qëndrime. Ndryshon vetëm statusi. Sot Sali berisha është i shpallur non-grata nga SHBA, ndaj i duhet streha e fundit për t’u mbrojtur: ajo e nacionalizmit për sa kohë kundërshtarët përballë tij janë ende më shumë në numër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.