Drejtësia

‘Na qëlluan nga pas, nuk i kam borxh askujt’, ish-prokurori Arjan Ndoj dëshmon në GJKKO atentatin në 2019: Isha pa ndjenja 6-7 minuta

Gazeta Si – Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme, ku dëshmoi lidhur me atentatin që u bë ndaj tij në mbikalimin e Shkozetit në nëntor 2019.

Për ngjarjen, janë të pandehur Plaurent Dervishaj i dyshuar si porositës dhe Julian Meçe i dyshuar si autor. Të dy ish-anëtarët e bandës së Durrësit u ekstraduan nga Dubai dhe aktualisht po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Arjan Ndoj tha se nuk kishte patur konflikte me autorët e dyshuar dhe se donte të dinte arsyen përse i ishte bërë atentat.

Ai ka dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, duke thënë se plumbat vinin nga pas. “Në 2019 kam banuar në Tiranë, me punë kam qenë në Durrës. Gjatë muajit kam banuar në qytetin e Shëngjinit për periudhën që ti më pyet. Kam pasur makinë Mercedes Benz, automjetin e drejtonin të gjithë personat e familjes. Gjatë muajit tetor të 2019 kam marrë një djalë në punë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Andi Maloku. Ka qëndruar me mua rreth një muaj, më shumë i kam dhënë unë makinës sesa ai, thjesht doja të ishte”.

Ndoj vijoi duke treguar edhe itinerarin që ndoqi pak para se t’i bëhej atentati. “Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me ca miq, kemi ndenjur deri rreth orës 16:00. Kam qenë me shoferin Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon. Në makinë, drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë isha në sediljen e pasagjerit, pas ishte Aleksandër Laho. Unë do kthehesha për shtëpi, edhe ai për shtëpi, kemi pasur një segement të përbashkët rruge. Te pjesa e parkimit të lokalit, kemi ndenjur 10 minuta, nuk e di a ka pasur njeri. Itinerari, te ura e Dajlanit, pastaj te mbikalimi, sa kaluam në mbikalim, filluan të shtënat. Nuk e kuptova fillimisht, m’u duk si plastmas, plumbat vinin nga mbrapa. Nuk kemi arritur ta shohim makinën, se nuk arrin dot. Të shtënat kanë qenë nga dy armë, se dallohen zhurma të ndryshme. Kanë qenë të shtëna, por jo breshëri. S’jam i sigurt sa, por 13 predha duhet të jenë”.

Sipas Ndojt, “makina u ngadalësua nga i ndjeri. Vetëm 3 minuta kam qenë koshient, jam rrëzuar në tokë pasi dola nga makina, isha pa ndjenja 6-7 minuta dhe e kam pa veten në spital. Momentin që ka hapur derën, ndjesë pastë, Andi ra, duhet të ketë pasur dhimbje. Se ia doli të dalë nga makina. Është si xhep vendi ku na goditën”, tha ai.

Ish-prokurori tha para trupit gjykues se nuk ka asnjë dijeni se kush mund ta ketë qëlluar, pasi nuk ka pasur probleme me askënd.

“Nuk kam dijeni kush më ka qëlluar. Nuk kam pasur absolutisht me asnjë njeri, asnjë problem, as me kthy kokën prapa as majtas. Nuk kam pasur, e nuk kam shqetësime”, tha ai,

Sipas Ndojës, nga të pranishmit njeh vetëm Plarent Dervishajin. “Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu (Plarent Dervishaj). Kam qenë në një takim një herë me një avokat”, u shpreh Ndoja.

Ish-prokurori kërkon të njihet me motivin e atentatit ndaj tij. “Unë motivin dua të di. Kam dëgjuar nga shtypi, nga shkresat që më keni nisur ju, por nuk e di pse e kanë bërë. Nuk i kam borxh askujt, më intereson arsyeja. Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta, ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush të më thotë se ça borxhi u kam”, tha ai.

Shqetësim për ish-prokurorin mbeten deklaratat e kryeministrit dhe ish zëvendëskryeministrit për procesin e vetingut.

“I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeminstri, ish zv.kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetingun e famshëm. Janë bërë lëvizje mashtruese në rotondo, që teknikisht të ndryshosh. Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me vetingun. Të vetmet lëvizje mashtruese që kam bërë në atë kohë ka qenë për të evitoj operacionalen”, tha ai. “Është goditur prokurori, jo Arjan Ndoj. Arjan Ndoj ja ku është”, përfundon ai.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organiuzar, mbylli në maj dosjen në ngarkim të gjashtë personave, të cilët akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor të vitit 2019.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.

Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Ndërsa Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rumi i Shijakut” mbetën të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë