Irena Beqiraj

Mysafirët e Parajsave Fiskale

Sistemi i meritokracisë i cili u ideua  si sistemi i mundësive të njëjta dhe triumfit të njerëzve të zotë  është  thyer tanimë në një tirani të meritokracisë

Sinisa Mali, Ministri i Financave të Serbisë e ka filluar karrierën e tij si konsulent i Deloitte, një nga 4 firmat më të mëdha shumëkombëshe të auditimit  dhe këshillimit të biznesit.

Ai hyri në në politikë në vitin 2001, ku fillimisht, u angazhua në procesin e privatizimit në Serbi. Në 2013, ai shërbeu si këshilltar ekonomik i Vuçiç  dhe në 2014 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Beogradit. Në vitin 2018 u emërua Ministër i financave i Serbisë.

Vetëm 49 vjeç, me 27 vjet eksperiencë pune, nga të cilat  20 vjet në sektorin publik, kanë qenë të mjaftueshme për një njeri të suksesshëm si z. Mali, që të bëhet milioner. Ai  me anë të dy kompanive të regjistruara në parajsat fiskale ka blerë apartamente përgjatë bregdetit të Bullgarisë në Detin e Zi, me vlerë 6.1 milion dollarë, pasuri të cilat nuk i ka deklaruar.

Mali është një ndër mysafirët  e parajsave fiskale, emri i të cilit  rradhitet në emrat  e politikanëve europianë në të dhënat e bëra publike nga Pandora Paper.

Parajsat fiskale sot nuk janë më një koncept ekzotik, ato janë zhvilluar si ndërmjetësit transaksional më të shpejtë dhe që ndërveprojnë mrekullisht me tregjet e rregulluara të kapitaleve. Parakushti i zhvillimit të tyre ishte lëvizja e lirë e kapitalit.

Friedrich Hayek krahasoi të drejtën vitale të lëvizshmërisë së kapitalit me “mysafirin e huaj”, në historinë e hershme greke. Sipas tij, ai ka të drejtë të gëzojë i qetë pasurinë e vet pavarësisht territorit. Por që të ndodhte tërheqja e kapitalit të huaj në mënyrë të njëanshme , u pa e udhës që “Mysafirët grek  të Hayek-ut “ të  liheshin tërësisht të përjashtuar nga rregullat dhe kontrolli.

Kapitalizimi neoliberal e kërkonte këtë dhe qeveritë e bekuan.

Edhe pse nuk ka një përkufizim të përcaktuar dhe pranuar për një parajsë fikale, ai thjeshtësisht mund të përkufizohet me dy  fjalë: "arratisje" dhe "gjetkë".

Ministiri i financave të Serbisë ka bërë pikërisht këtë gjë. Eshtë arratisur nga rregullat që nuk i kanë pëlqyer duke e çuar kapitalin e tij diku gjetkë, përtej kufijve ku nuk ka pasur rregulla .

Dhe kur themi “rregullat”,  taksat janë vetëm një pjesë e tyre, parajsat fiskale  ofrojnë një rrugë shpëtimi edhe nga rregulloret financiare, hetimi dhe përgjegjësia penale.

 “ Kjo Mbrojtje “ që ofrohet në parajsat fiskale përcakton edhe karakteristikat e mysafirëve të tyre. Ata janë, njerëzit më të “sukseshëm të kapitalizmit”, më të pushtetshmit, të pajisur jo vetëm me njohuritë e nevojshme, por më së shumti me fuqinë monetare dhe politike për t’u arratiusur gjetkë dhe për të  mos iu bindur ligjeve kombëtare.

Të parat  janë korrporatat trilionë dollarëshe. Psh, vetëm kompanitë amerikane Fortune 500 mbanin 2.6 trilion dollarë në parajsa fiskale në vitin  2017. Të dytët janë  klasa e miliarderëve dhe  politikanëve të korruptuar të cilët sipas ekonomistit dhe juristit James S. Henry (2016) kanë strehuar në parajsa fiskale një total mahnitës deri në 36 trilionë dollarë.

Arratisja e kapitalit të tyre nga vendet e origjinës  u kushton qeverive në gjithë botën nga 500 miliardë deri në 600 miliardë dollarë në vit të ardhura të humbura buxhetore nga tatimi fitimi, (Cobham dhe Janský 2018) dhe rreth 200 milard nga tatimi i të ardhurave personale. Nga këto rreth 300 miliardë dollarë të ardhura buxhetore të humbura i përkasin vendeve në zhvillim të cilat detyrohen të lypin çdo vit 150 miliardë dollarë ndihmë të huaj, për të zhvilluar pjesën tjetër “dallkauke” të shoqërisë që nuk ka zotësinë e nevojshme që të përfitojë nga mrekullitë e lirive neoliberale.

Por kuptohet kapitali nuk është për t’u magazinuar, edhe si i tillë nuk fle në parasjat fiskale ai vetëm rregjistrohet  në to. Ai sërish lëviz, investohet dhe shtohet duke gjurmuar invesimet më fitimprurësë të cilat mundësohen sërish nga qeveritë, nëpërmjet koncensioneve dhe ligjeve të investimeve strategjike.

Damgaard dhe Elkjaer në 2017 zbuluan  një të dhënë edhe më mahnitëse. Rreth 12 trilion dollarë - gati 40 përqind e të gjitha investimeve të huaja direkte në botë e kanë origjinën nga parajsat fiskale.

Çudi! Sistemi i meritokracisë i cili u ideua  si sistemi i mundësive të njëjta dhe triumfit të njerëzve të zotë  është  thyer tanimë në një tirani të meritokracisë. Aspak nuk dua të them që z. Mali,  nuk është burrë i zoti, por rasti i tij edhe i gjithë mysafirëve të parajsave fiskale janë një shembull i pashoq që kapitalizmi  triumfon vetëm kur identifikohet me shtetin, derisa bëhet vetë shteti.


Copyright © Gazeta “Si”