Futboll

Myrto Uzuni shënon dopietë historike, bëhet golashënuesi më i mirë i Granadas në Spanjë

Myrto Uzuni ia ka dalë të bëhet golashënuesi më i mirë i Granadas në gjithë historinë e klubit spanjoll, duke gjetur 46-të gola me fanellën e këtij ekipi.

Për javën e 18-të në La Liga 2, Granada fitoi 3-0 kundër Racing Santander. Goli i dytë dhe i tretë i vendasve u shënua nga Myrto Uzuni në minutën e 53-të dhe 76-të, çka solli realizimin e 11-të në 15 ndeshjet e këtij sezoni.

Me këtë gol beratasi i Kombëtares lë pas një emër si Youssef El Arabi (44 gola), që deri më sot mbante rekordin. Tanimë emri i Uzunit është shkruar me gërma të arta në Spanjë, të paktën për klubin e Granadas.

Myrto Uzuni në 103 takime ka shënuar 46 gola me Granadan. Veç golave Uzuni për ndeshjen e dytë radhazi ka edhe shiritin e kapitenit te Granada.

Pas ndeshjes, në rrjetet sociale Granada i ka bërë jehonë rekordit të Uzunit, duke lëvduar sulmuesin kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë