Kombetarja

Myrto Uzuni lë fushën i dëmtuar, sulmuesi kuqezi shqetëson para sfidës me Çekinë

Gazeta Si – Myrto Uzuni la fushën pa u mbyllur ende pjesa e parë e ndeshjes së sotme mes Granadës dhe Betisit. Sulmuesi beratas pësoi një dëmtim gjatë një dyluftimi me një kundërshrar dhe më pas e kishte të pamundur të vazhdonte.

Një lajm i keq ky për stafin e Kombëtares, kur po afron ndeshja kualifikuese vendimtare me Çekinë, aq më tepër që pak ditë më parë është dëmtuar edhe sulmuesi tjetër, Sokol Cikalleshi, duke vënë në pikëpyetje praninë në sfidën e 12 tetorit në ‘Air Albania’.

Nga sa u pa nga pamjet filmike, kontrasti nuk ishte i ashpër në momentin që Uzuni u dëmtua. Do të jenë ekzaminimet e detajuara mjekësore ato që do të tregojnë shkallën e dëmtimit, por nëse rikuperimi kërkon shumë kohë, do të jetë një problem për sulmin e Kombëtares.

Uzuni në fakt nuk ka shënuar asnjë gol në këto eliminatore, por gjithsesi është një lojtar që i shërben trajnerit Silvinjo në çdo moment. Ai u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen e Pragës me Çekinë, kurse ndaj Polonisë e nisi titullar dhe qëndroi një orë në fushë.

Përveç Uzunit dhe Cikalleshit, problem dëmtimi ka pasur së fundi edhe mbrojtësi Ardian Ismajli. Është kthyer ndërkohë nga një dëmtim i gjatë Armando Broja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë