Gazeta Si – Nga Hungaria në Spanjë. Myrto Uzuni, sulmuesi i Ferencvaroshit dhe Kombëtares së Shqipërisë, do të luajë në vazhdim në një nga kampionatet më të fortë në botë. Ai do të veshë fanellën e Granadës në La Liga, një kampionat ku luajnë edhe dy kuqezinjtë e tjerë, Keidi Bare dhe Ivan Balliu. Ky është pa dyshim një hap i rëndësishëm për karrierën e futbollistit beratas.
Uzuni ka shkuar ën Spanjë për të krye vizitat mjekësore për të formalizuar më pas kontratën me Granadën, që sipas shtypit iberik, do të jetë 4-vjeçare. Paraqitja e mirë e sulmuesit në kampionatin hungarez dhe Kupat e Europës ka bërë që për të të ketë interesim nga disa klube të kampionateve më të forta, por duket se Granada ka bërë ofertë konkrete.

Klubi spanjoll do të paguajë te Ferencvaroshi 3.5 milionë euro për kartonin e Uzunit. Hungarezët e blenë sulmuesin kuqezi nga Lokomotiva e Zagrebit për 1.8 milionë euro, ndaj dhe do të përfitojnë jo pak nga shitja e tij në Spanjë.
Nga kjo lëvizje e Uzunit do të përfitojnë financiarisht edhe Apolonia dhe Laçi, dy klubet shqiptare ku ka luajtur futbollisti para se të linte Superligën. Sipas rregullit, duke qenë se Uzuni ka luajtur me këto dy klube deri në moshën 23 vjeç, ato përfitojnë 3% të vlerës së transferimit të kartonit, rreth 90 mijë euro secila.
Me Granadën, që aktualisht mban vendin e 14-të në La Liga, Uzuni do të ketë shansin të tregojë më mirë vlerat e tij, pasi do të jetë pjesë e një prej pesë kampionateve më të fortë në Europë. Granada mund të jetë një tjetër trampolinë për sulmuesin beratas. Me fanellën e Ferencvaroshit Uzuni ka shënuar 36 gola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




