Nga Luljeta Nelallari - Edhe pse ruajtja e pastërtisë së folklorit dhe muzikës sonë autentike për ne që kemi një hapësirë jo shumë të madhe gjeografike nuk është asnjëherë e tepërt, elemente kulturore nga fqinjët herë pas here kanë influencuar dhe muzika është kthyer në një reflektim të një memorie të gjerë kolektive.
Maestro Zhani Ciko, një nga emrat e njohur të muzikës dhe artit në Shqipëri thotë se “Nuk ekziston një pavarësi absolute midis vetë zhvillimeve muzikore dhe atij të vendit apo individit krijues dhe zhvillimeve institucionale”.
Nga sa njeh zhvillimet e këngës në Shqipëri, madje edhe ato të viteve të fundit, Ciko e evidenton influencën e elementeve serbe, apo elementeve ballkanike në përgjithësi, edhe pse indirekte.
“Unë mendoj që influenca e tyre është pothuajse indirekte. Vë re se ndikime të posaçme në krijimtarinë, në përbërjen e këngës në strukturën e këngës ose dhe në gjuhën e brendshme, mund të jenë raste të rralla. Nga ana tjetër ne shohim elementë që kanë të bëjnë me përkorjen artistike të këngës, me rritjen e nivelit, siç janë orkestracioni apo elementë të tjerë, madje edhe të formacioneve. Jo si këngë, por si orkestracion janë p.sh këngë popullore të Shkodrës që këndohen në dasma dhe ahengje të ndryshme, jo këngë folklorike por qytetare. Si fenomen këtë lloj përpunimi e gjen dhe në Elbasan në tipologjinë e këngës qytetare në ndonjë rast”, shprehet Ciko.
Për maestro Cikon, ndikime të tilla assesi nuk mund të merren si një ndikim negativ, “përkundrazi e quaj si një absorbim të kulturës tonë panballkanike”.
Duke u futur në teknikat dhe proceset e realizimit të një kënge, ai dallon elementë serbë në shoqërimet instrumentale.
“Në orkestracionet e shumë këngëve kur përdoren shoqërimet me terca që nuk ekzistojnë tek ne veçanërisht në refrenet e tyre, shtohen akorde dhe kadenca të cilat, të çojnë diku jashtë kufirit tonë në kuptimin simbolik të fjalës. Nganjëherë merren dhe si pjesë e suksesit. Këto janë shfaqje kryesisht në përpunimin e këngës dhe në formacione të ndryshme”.
Duke kujtuar edhe vitet më të egra të regjimit, ku ndikimet në Ballkan ishin të ndaluara, Ciko thotë se sot ndikimet e tjera kulturore perfeksionojnë kuptimin estetik, dhe kjo i jep një frymëmarrje më të gjerë zhvillimit muzikor të vendit.
“Njëherë në mesin e viteve ‘80 kur këto gjëra shikoheshin me një ngurtësi të madhe, Dritëro Agolli do të ishte pjesë e kritikës për disa këngë. Ai do të shprehej: ‘jo, kjo nuk është ndikim i këngës serbe ose krijimtarisë jugosllave, kjo është një frymë ballkanike’. Pra që atëherë u shtrua kjo prerogativë që ka edhe një gjuhë të përbashkët”, nënvizon Ciko, ndërsa shton se “që në atë kohë unë e pata hedhur tezën e guximshme që tradita nuk është vetëm një traditë, kemi të bëjmë me një pluritraditë në fakt që ndikon në zhvillimet muzikore tonat.
Shkëmbimet kulturore brenda rajonit, ai thotë se kanë qenë edhe të mëhershme, një praktikë e njohur dhe i sheh si të domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm kulturor.
“Unë do t’i referohem vizitës së Ansamblit tonë të Këngëve dhe Valleve, të ftuar nga krahina e Sorcinit në Beograd, në një festival atje. Ishim përballë një publiku vendës dhe me shumë pak elementë shqiptarë. Fola për turneun historik të Ansamblit të Këngëve dhe Vlleve në Beograd 2011,në sallën e Filarmonisë së Brogradit,ku madje në skenë vendosëm dhe flamurin tonë kombëtar. Disa vite më vonë ftuam tenorin Alexander Dojkoviç, i pari solist i Operas së Beogradit në skenën shqiptare”.
Në rrjedhën e kohës pashmangshmërisht shumë tinguj na kanë çuar në qasje, të cilat të ndërmendnin ndikimet e një muzike dhe të një folklori tjetër, por ajo që na përbashkon në art është dendësia e emocionit...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.