Politike

“Muzika nuk ndryshon në Rusi”, Rama: U rritëm në një vend ku imperializmi amerikan ishte i njëjti djall dhe duhet të mbeteshim me Stalinin

Nga Praga ku po mbahet Forumi i sigurisë GLOBSEC 2024, kryeministri Edi Rama mori pjesë në Panelin e diskutimit me Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, moderuar nga gazetari i njohur i Ali Aslan.

Fjalën e tij, Rama e nisi me batuta. Ai tha se ka mbetur i befasuar që është vendosur në një panel me dy nordikë. “Zakonisht më vini në atë lokomotivën me akull, me njerëz nga Ballkani, me panale me 5 apo 6 njerëz, tashmë jam në një makinë elektrike me dy nordikë. Ndihem shumë i nderuar meqë ra fjala. Në njëfarë mënyre jam ngritur në një tjetër nivel shoqërie në Europë”, tha Rama.

Më pas, Rama u pyet për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës. Ai tha se Shqipëria është i vetmi vend që nga viti 1990 nuk ka pasur asnjë vizitë reciproke të nivelit të lartë me Rusinë.

“Ne u rritëm në një vend ku Uashingtoni, Praga, ishin njësoj. Na thuhej se imperializmi amerikan socioimperializmi sovjetik ishin i njëjti djall. Kështu që do të duhej të mbeteshim me Stalinin edhe kur Rusia hoqi dorë nga Stalini, shkruan A2. E mësuan në kurriz që nuk ka asnjë interes, as nevojë ta shohësh Rusinë si aleat të mundshëm tonin. Në Rusi ëndrra për një variant të caktuar të imperializmit nuk do të zhduket. Ne jemi i vetmi vend në Europë që prej vitit 1990 nuk ka pasur asnjë vizitë të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Solidariteti ynë me Ukrainën është i natyrshëm sepse është e paimagjinueshme që në Europën tonë, çfarëdo mosmarrëveshje, nuk mund të zgjidhet nga një ushtri. Kjo është e papërfytyrueshme. Dua të përmend historinë mjaft treguese të himnit rus. Stalini i kërkoi autorit që të shkruante diçka mjaft motivuese, ai e bëri. Kur Hrushovi mori pushtetin i kërkoi të ndryshonte tekstin. Kur Yeltsin erdhi në pushtet, i thotë nuk jemi më Bashkimi Sovjetik dhe duhet të ndryshosh tekstin. Edhe kur Putini erdhi në pushtet i kërkoi autorit të ndryshojë tekstin, por muzika kurrë nuk ndryshoi në Rusi”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë