Trashëgimi

Muzeu i ish-kampit të internimit në Tepelenë nuk ekziston askund, studiuesi Auron Tare: A është një lloj revanshi historik?

Ministria e Kulturës shpalli 5 vite më parë marrjen në mbrojtje të ish-kampit të internimit të Tepelenës për ta kthyer atë në një muze kombëtar, një muze që simbolizon dhimbjen e njerëzve që kaluan jetën në kampet e internimit, dëbimeve dhe punës së detyruar.

Por në këto vite janë bërë përpjekje të vogla për t’i kthyer ish-kazermat ushtarake në dëshmi të kujtesës, ndërsa rrënojat vijojnë të gjejnë interes nga qindra vizitorë vendës dhe të huaj.

Studiuesi dhe historiani Auron Tare, në një postim në rrjetet sociale shprehet se përpos zhurmës që u bë në fillim për ngritjen e muzeut, sot e kësaj dite muzeu nuk ekziston askund. Sipas tij janë mbjellë vetëm disa qiparisa për vëmendje mediatike.

“Debati për një Muze në Tepelenë kushtuar periudhës se diktaturës ka disa vite që është hapur. Fillimisht nga ministrja Kumbaro (deputete e zonës) e cila mbështeti me fonde një projekt të iniciuar nga një numër personazhesh nga Tirana, të cilët përveç specializimit në marrjen e granteve të huaja për çdo kauzë të hedhur në treg, nuk është se kishin ndonjë lidhje me historinë e ‘Kampit të Tepelenës’. Me një vrull dhe zhurmë që krijohet ne përgjithësi për të impresionuar donatorët, grupi i iniciatorëve i cili solli në Tepelenë edhe një kamion ‘Zis’ të komunizmit premtoi plot bujë se do të ngrinte një Muze si simbol te persekutimit komunist. Por përveç disa leksioneve në fushën e ish-Komandës së Divizionit Italian ‘Modena’, dhe mbjelljes së disa qiparisave për sytë e medias, nuk u bë më asgjë”, shkruan historiani Tare në Facebook, ndërsa shton se “Qiparisat e braktisur janë dëshmia e vetme e fondeve të marra dhe që nga mbjellja e tyre e deri më tani,  grupi i iniciatorëve që harxhuan nja 250 mijë euro e kusur, nuk  u ndien më për “vuajtjet e ish të internuarve”.

Ai thotë se është për të ardhur keq që shoqëria shqiptare ka bërë shumë pak për të kujtuar dhe mbrojtur trashëgiminë materiale të kohës së diktaturës dhe brezat që vijnë gjithnjë e më pak po shohin gjurmët e një periudhe diktature ekstreme.

Tare ngre edhe pyetjen se a duhet ngritur muzeu në Tepelenë, muze i cili reflekton të shkuarën komuniste.

“Në fakt Shqipëria ka një seri kampesh dhe burgjesh të tmerrshme të cilat mund të ishin Muzeume të memories kolektive mbi diktaturën. Spaçi për vetë historinë që ka dhe pozicionin natyror do të ishte një muze i jashtëzakonshëm, por edhe një mundësi e madhe turistike për banorët e zonës. Por përveç Spaçit, janë një sërë kampesh të tjera, të cilat ishin ngritur dhe funksionuan për të burgosurit politikë”, vijon më tej historiani Tare.

“A është ky kamp i improvizuar internimi në Tepelenë simboli i diktaturës komuniste? Simboli i të “Keqes Shqiptare”? Përse jo Spaçi? Maliqi? Savra? Elbasani?”, ngre shqetësimin Tare.

Ai thotë se Ministria e Kulturës dhe personat që e shpallën këtë ide duhet të japin një studim të thelluar mbi këtë kamp dhe kontekstin lokal për kohën.

“Nëse Kampi jetonte në kushte urie, a ishte popullata e pas luftës në zonën e Tepelenës në kushte mbijetese, sëmundjesh dhe vështirësish? A ka ndokush nga Ministria e Kulturës raportet e UNRRAS, të cilat flasin për një varfëri ekstreme të Jugut Shqiptar ku popullata e djegur dhe e dëbuar nga Lufta disavjeçare jetonte në mjerim? A ka ndonjë të dhënë statistikore për vdekjen e fëmijëve në zonën e Tepelenës në atë kohë nga tifo e morrit, uria apo sëmundje të ndryshme? Këto dhe të dhëna të tjera mund të na jepnin një panoramë më të qartë për të kuptuar kontekstin lokal dhe faktin se popullata e kësaj zone ishte po ashtu në kushte të mjera, por nuk ishte një popullatë armiqësore ndaj të internuarve ‘veriore’. Ide kjo e përçuar nga mbjellësit e qiparisave”, shprehet studiuesi Tare.

Ai shkruan më tej “mos ndoshta ideja e këtij muzeumi në Tepelenë  dedikuar një kampi internimi shumë jetëshkurtër bëhet me qëllim në një prej zonave më aktive të rezistencës antifashiste si një lloj revanshi historik?”

Sipas Tares, për të ngritur një “muze” të memories historike kaq të rëndësishëm për brezat e ardhshëm, nuk është e nevojshme vetëm dëshira e mirë, por në radhë të parë e vërteta historike.

“Një e vërtetë që nuk duhet të varet nga pazarexhinjtë e granteve të huaja, por nga serioziteti i një shteti, i cili kërkon të ndriçojë dhe nxjerrë mësime nga e kaluara. Përndryshe edhe kjo përpjekje në dukje pozitive do të përfundojë si realiteti në kazermat italiane të Tepelenës ku qiparisat e mbjellë nuk i vadit askush më”, përfundon studiuesi Auron Tare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë