Nga John Kampfner– Çfarë kanë të përbashkët një varkë e sekuestruar në ishullin italian Lampedusa, një copë nga Murit të Berlinit, dy shapka të mëdha blu dhe një autobus prej stofi i qytetit të Nju Jorkut me pikturat e Hans Holbein dhe Willem de Kooning?
Të gjitha këto janë pjesë e një muzeu të ri që hapet këtë javë në Roterdam, i përqendruar tërësisht në migracionin, lëvizjen e popujve që përcakton çdo shekull të njerëzimit dhe që vitet e fundit ka marrë një ngjyrim politik gjithnjë e më toksik.
I vendosur në dy kate të një prej magazinave më të mëdha në botë, ky muze është pjesa qendrore e një projekti rigjenerimi në Katendrecht, zona jugore portuale e qytetit dhe ish-distrikti i dritave të kuqe, i mbushur me histori.
Përballë tij, në anën tjetër të ujit, ndodhej selia e “Holland America Line”, (e kthyer në hotel tashmë) kompania që transportoi mijëra holandezë drejt Amerikës dhe Kanadasë për një jetë të re. Sot, shumica e trafikut ka rrjedhur në drejtim të kundërt , Roterdami është shtëpi për 170 kombësi.
“Emigracioni është i përjetshëm dhe universal. Që kur ekzistojmë si njerëz, jemi në lëvizje. Është pjesë e natyrës sonë.” -thotë drejtoresha Anne Kremers.

Teksa bisedojmë në zyrën e saj, pas shpinës së saj kalon një anije mallrash drejt detit, ndërsa një taksi ujore e verdhë lëviz me shpejtësi drejt qendrës së qytetit.
E emëruar në vitin 2020, ajo ka udhëtuar nëpër botë për të përzgjedhur veprat, për të komisionuar artistë dhe për të diskutuar me ekspertë si të paraqesë në mënyrën më të drejtë këtë çështje aq delikate, në një periudhë të trazuar për Holandën dhe botën.
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023 sollën në krye Partinë e Lirisë (PVV) të Geert Wilders, që tani është pjesë e qeverisë dhe po shtyn politika të forta kundër refugjatëve.
Kremers e ka një përgjigje diplomatike: “Muzeu nuk është politik, por është urgjent”. Ajo kujton se edhe Mbretëresha Máxima, e ftuara e nderit në hapje, është migrante nga Argjentina.
“Emigracioni nuk është gjithmonë një histori vuajtjeje. Njerëzit shpërngulen edhe për dashuri, punë apo aventurë” -thotë ajo.
Vizita nis me ngjitjen në Tornadon, një strukturë prej 300 panelesh çeliku që kalon përmes tavanit dhe ofron pamje 360 gradë mbi qytetin dhe rrjetin e tij të kanaleve. Njëkohësisht platformë vrojtimi dhe atraksion i stilit ‘rollercoaster’, ajo përfaqëson rrugët e përthyeshme drejt një vendi të ri. Arkitekti, Ma Yansong, është vetë bir emigranti.
Në katin e parë, hasim një manekin me ngjyrë rozë dhe jeshile, i veshur si astronaut, me një helmetë të zezë dhe një rrjetë në shpinë ku mbart një çajnik, shportë dhe llambë, një nomad në kërkim të një planeti të sigurt. Kjo është vepra “Refugee Astronaut IX” e artistit britanik Yinka Shonibare.
“Arti nuk është propagandë,” thotë ai. “Ne nuk japim përgjigje, por krijojmë hapësirë për debat.”
Një nga veprat e fundit të vendosura është “Man in Wainscott” nga de Kooning, realizuar në 1969 një përsiatje mbi detin nga studioja e tij në fund të Long Island. Në korrik 1926, në moshën 22-vjeçare, ai iku nga Roterdami drejt Nju Jorkut pa lënë as lamtumirë. Një tjetër vepër madhore është portreti i Erasmusit, humanistit dhe udhëtarit, pikturuar në atelienë e “Holbein” rreth viteve 1530.
Vepra më argëtuese është ndoshta “The Bus” nga artisti amerikan Red Grooms, një autobus i plotë i Nju Jorkut, i mbushur me personazhe shumëngjyrëshe prej stofi. Të gjithë duken sikur kanë ardhur nga dikur tjetër, duke u bërë bërë pjesë e qytetit.
Muze të migracionit ka në Berlin, Këln, Suedi, Greqi, Londër por Fenix dallohet për aftësinë për të ndërthurur lehtësinë me kompleksitetin. Një nga veprat e reja është “Luz Brilhante e Cintilante” nga Raquel van Haver, artiste kolumbiane me bazë në Amsterdam. Kanavacë gjigande që portretizon njerëz nga “Kape Verde” , disa që duan të ikin, të tjerë që ndihen të ndarë nga atdheu.

“Kape Verde” ka qenë pikë tranziti për tregtinë e skllevërve dhe aventurierët. Piktura shoqërohet me tinguj këngësh dhe daullesh, për të treguar rolin e muzikës në komunitet.
“Këto përvoja më ndihmojnë të kuptoj historinë time personale,” thotë van Haver.
Një tjetër vepër e çuditshme vjen nga artistja koreano-jugore Chae Eun Rhee. “We, In the Eye of the Wind” është një triptik i madh që përfshin astronautë të Stanley Kubrick-ut, figura ogurzeza në stilin e Hieronymus Bosch dhe skena nga loja Minecraft, të kombinuara me librat mesjetarë të lutjeve.
“Doja ta paraqisja emigracionin më shumë si një gjendje emocionale, jo si një lëvizje fizike,” thotë ajo.
Vetëm disa metra më tej, një çadër refugjatësh e OKB-së dhe një varkë reale e konfiskuar nga autoritetet italiane që kishte mbërritur nga Tunizia, të rikthen me këmbë në tokë. A ka vend arti, sidomos ai abstrakt, në një muze kushtuar realiteteve të rënda të migracionit? Kremers përgjigjet: “Pikërisht ky është thelbi. Vizion im është të ndërthur realitetin me artin.”
Muzeu është ideuar dhe financuar nga fondacioni Droom en Daad (Ëndërro dhe Vepro), i krijuar në vitin 2016 dhe i drejtuar nga Wim Pijbes, ish-drejtor i muzeut “Rijksmuseum”.
Ekspozita kryesore në katin përdhes shpjegon filozofinë e Kremers. “Labirinti i Valixheve” përbëhet nga 2,000 valixhe të të gjitha formateve, të mbledhura nga ekipi kuratorial. Njerëzit kanë dhuruar historitë e tyre dhe shpesh janë vizituar personalisht në shtëpi. 40 prej tyre kanë kode QR që lejojnë dëgjimin e rrëfimeve me kufje. Më e reja vjen nga një refugjat ukrainas i vitit 2022, më e vjetra nga viti 1898 një holandeze që udhëtoi drejt Tianjin-it në Kinë për t’u martuar me një burrë që e njihte fare pak.

Ernst Feekes tregon historinë e gjyshes së tij Willemine, e cila në vitin 1911 u kthye në Holandë me katër fëmijët pasi burri i saj në Kinë e tradhtoi dhe mbeti me shërbyesen shtatzënë. Udhëtimi i saj kaloi nga Vladivostoku përmes Ekspresit Transsiberian deri në Moskë dhe më pas në atdhe, ku ajo u bë një zë i fuqishëm i Lëvizjes për të Drejtat e Grave. Të gjitha i kishte mbledhur në një valixhe kafe të madhe.
Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.