Prezantohet aplikacioni i audioguidës në Muzeun Historik Kombëtar.
Audioguida shqip dhe anglisht në Muzeun Historik Kombëtar u prezantua të martën, në kuadër të 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Pajisjet tableta dhe kufjet që janë në dispozicion në muze u japin mundësinë vizitorëve për të dëgjuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe do të njihen më shumë me tetë pavijonet.
Në prezantimin e aplikacionit të audioguidës merrnin pjesë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi se është një kënaqësi e veçantë që pikërisht në 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve të prezantohet aplikacioni i audioguidës, si një objektiv tepër i rëndësishëm. “Kjo është diskutuar shpesh me Ministrinë e Kulturës, e cila udhëheq procesin e standardizimit dhe digjitalizimit të projekteve”, tha në fjalën e tij drejtori i MHK.
Sipas tij, ky projekt në kuadër të rijetëzimit të aseteve të Muzeut Historik Kombëtar me anë të teknologjisë, u bë i mundur falë stafit të muzeut dhe mbështetjes së dhënë nga “Raiffeisen Bank”.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar u shpreh më tej se dëshiron që ky projekt të zhvillohet më tej në realizimin e audioguidës në gjuhë të tjera si italisht, frëngjisht dhe gjermanisht, për të gjithë vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka në dispozicion deri tani 60 tabletë për t’u vënë në dispozicion të vizitorëve. Një numër maksimal për drejtorin e MHK, sepse sipas tij zakonisht grupet janë me këtë lloj numri vizitorësh, arrijnë nga 30 deri 40 apo maksimumi deri në 60 veta.
E pranishme në prezantimin e audioguidës, ministrja e Kulturës Elva Margariti, kujtoi 18 majin e vitit të kaluar, ku Shqipëria ishte një nga të paktat shtete në botë që hapi muzetë dhe parqet arkeologjike, duke mos u stepur përpara vështirësive dhe duke treguar një mendësi tjetër për të përballuar vështirësinë globale të pandemisë.
Sipas saj, diçka e tillë nuk i shërbeu vetëm vizitorëve të huaj në mënyrë që të njiheshin me bukuritë shqiptare, por i shërbeu mbi të gjitha vendasve të cilët patën një mundësi tjetër për tu çlodhur psikologjikisht dhe për të pasur një dritare shprese.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti theksoi se revolucioni digjital sidomos në sektorin e artit dhe kulturës nuk do të thotë thjesht shërbime për qytetarët, por është e ardhmja e të gjitha siteve kulturore.
“E ardhmja e promovimit të kulturës tonë kalon patjetër nëpërmjet teknologjisë. Është mjaft pozitive që Muzeu Historik Kombëtar iu bashkua kësaj nisme sikurse edhe muze të tjerë duke u bërë pjesë e asaj, që njihet si aksesueshmëria e kulturës për të gjithë”, u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.