Trashëgimi

Muzetë e Vlorës dhe Korçës “dynden” nga kosovarët

Ndryshe nga Muzeu Historik Kombëtar, ku vizitorët kanë qenë më shumë vendës (edhe ata të paktë në numër), një tjetër panoramë vjen nga Vlora e Korça.

Ajo që vihet re këtë vit është vërshimi i kosovarëve në këto qytete dhe për pasojë edhe nëpër muzetë e këtyre qyteteve, vizitorët më të shumtë janë nga Kosova.

“Me përafërsi mund të kenë qenë rreth 1200 vizitorë, po pjesa më e madhe ishin vizitorë të Kosovës. Dhe ka pasur më shumë vizita se viti i kaluar”, thonë për Gazetën Si, punonjësit e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.

Ata tregojnë edhe proporcionin e kosovarëve me shqiptarët.

“75% janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesa tjetër nga Shqipëria”.

Edhe në Muzetë e Korçës duket se ka qenë e njëjta panoramë, shumë pak vendës, ku duket sikur shqiptarët e kanë lënë në harresë identitetin.

“Megjithëse dje ra gjatë gjithë kohës shi kemi pasur vizitore spanjollë, nga Republika e Kosovës dhe pak vendas( 3 vajza nga Tirana). Muzeu qëndroi hapur dje dhe sot. Në fakt edhe pse ka vendës në fundjavë në Korçë, nuk janë shumë të orientuar ndaj turizmit kulturor”, thonë për Gazetën Si, nga Muzeu Arkeologjik Korçë, ndërsa shtojnë se “nga vendësit janë nxënësit e shkollave që paraqesin më shumë interes. Dje kemi pasur 40 nxënës nga shkollat”. Nxënësit paraqesin më tepër interes.

Ndërkohë, në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, ka pasur edhe vizitorë vendës. Por sërish edhe këtu të shumtë në numër kanë qenë edhe vizitorët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Në këto kohë të vështira të pandemisë dhe mundësisë për të lëvizur, kanë kryesuar vizitorët vendës, por nuk mbeten mbrapa vizitorët e huaj, të cilët nuk largohen pa vizituar Muzeun dhe ta vlerësojnë atë maksimalisht”, thotë për Gazetën Si, Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut Kombëtar e Artit Mesjetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë