Politike

Mustafaj: Platforma të jetë e besueshme, të tërheqë PS dhe ndërkombëtarët

Në takimin e opozitës sot ishte i pranishëm edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili dha disa komente mbi platformën e paraqitur që synon krijimin e një qeverie tranzitore me synim zgjidhjen e krizës politike.
Për Mustafajn këto propozime nuk mund të jenë si një normë kushtetuese, pasi kështu mund të krijohet edhe mundësia e një kompromisi me mazhorancën.
“Ajo që mua më bie në sy, është se në fakt mungon sharmi për të tërhequr palën tjetër, nuk mund të besohet se opozita, lidershipi, ne që e votojmë e kam fjalën për veten, jemi të bindur se mund ta ngremë një qeveri tranzitore, vetëm ne. Aq më tepër në kushtet e sotme të dominimit total që ka shumica në Parlament. Duke e marrë të mirëqenë atë që tha kryetari Basha se ky është proces dhe se platforma do të pasurohet, do të marrë formë më diplomatike, edhe më teknike; do të kemi mundësinë të gjykojmë mbi një dokument, që nesër do të jetë joshës edhe për ndërkombëtarët që të mbështesë idenë e një qeverie të tranzicionit, që është domosdoshmëri, por të bëhet e besueshme, joshëse, të paktën për një pjesë të rëndësishme të mazhorancës”, deklaroi Mustafaj.
Duke qenë dakord për rëndësinë e krijimit të një qeverie tranzitore, ish-kryediplomati theksoi se duhet ecur me shpresën se do të shkohet drejt një kompromisi, ose në të kundërt jemi përpara një revolucioni. “Por unë nuk jam revolucionar, jam evolucionist, dhe në këtë perspektivë të një kompromisi, pra besoj se në të gjitha dokumentet që ka paraqitur deri tani opozita, pika më e mundur për të dhënë shpresën e kompromisit për qeverinë tranzitore, është kjo lloj platforme. Ky është sugjerimi im”, theksoi Mustafaj.
Ndërsa Albert Rakipi gjatë fjalës së tij theksoi nevojën e vendosjes së afateve kohore për këtë qeveri tranzitore në mënyrë që kjo platformë të mos mbesë në protokoll. “Kjo qeverisje, jo në kontekstin e një qeverisjeje të mëparshme teknike, programi i qeverisë tranzitore duhet të operojë në kuadrin e mungesës totale chekc balance të institucioneve. Të restaurohet Kushtetuta dhe nuk mund të bëhet për një afat 2-3 muaj si ndarja territoriale, sistemi zgjedhor, që mund të bëhet me konsensus. Vendi është në një moment shumë delikat nuk ka asnjë vend në Ballkanit në këtë situatë, mendoj duhet të dalim nga një trashëgimi shumë e madhe dhe duhet të një konsensus shumë i madh për të realizuar një reformë shumë të madhe”, theksoi Rakipi.
Për zgjerimin e objektit të qeverisë tranzitore ishte edhe Kastriot Islami, i cili vuri si kusht edhe Vettingun në politikë, apo dhe një reformë të re administrative territoriale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë