Politike

Mustafa i përgjigjet Kurtit: Nuk duam lëmoshë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u është përgjigjur deklaratave të Albin Kurtit duke thënë se partia që ai drejton nuk po kërkon lëmoshë, por as më shumë dhe as më pak nga sa pushtet i takon në kabinetin e ri që mund të dalë nga një marrëveshje mes dy partive.

“Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë. LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend”, deklaroi ai.

Mustafa mban ende të hapur derën e marrëveshjes, por thotë se përgjegjësia dhe presioni për formimin e Qeverisë së re bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.

“LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë. Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve”, vijon ai.

Kreu i LDK-së këmbëngul se nga ana e saj, kjo parti ka luajtur një rol zhbllokues. Si shembull sjell votën pro kandidatit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit, megjithëse Mustafa mendon se ky post me marrëveshje duhej t’i jepej LDK-së.

“Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit. Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet t’i takojë Kryeparlamentari me marrëveshje. Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje”, mbyll reagimin e tij kreu i LDK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë