Nga Gazeta ‘Si’- Miliarderi Elon Musk është shfaqur në një konferencë me Presidentin Amerikan, Donald Trump, ku ka mbajtur edhe fjalimin e lamtumirës nga drejtimi i DOGE.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dhuruar Musk “çelësin e artë”, ndërsa në fjalën e tij, Musk ka deklaruar se “ky nuk është fundi i DOGE, ky është në të vërtetë fillimi”, raportohet në media.
“Ekipi i DOGE-së vetëm sa do të bëhet më i fortë me kalimin e kohës. Jam i bindur se me kalimin e kohës do të shohim një reduktim të humbjeve dhe mashtrimeve me një trilion dollarë. Mendoj se ekipi i DOGE po bën një punë të jashtëzakonshme, ata do të vazhdojnë të bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe unë do të vazhdoj ta vizitoj atë dhe të jem një mik dhe këshilltar i presidentit.”- ka thënë Musk.
Por Musk u shfaq me një mavijosje të dukshme mbi syrin e djathtë gjatë konferencës së tij të lamtumirës. Biznesmeni miliarder u zbuloi gazetarëve se djali i tij 5-vjeçar, i quajtur “X”, ishte ai që shkaktoi mavijosjen.


“Nuk ka asgjë si një grusht në fytyrë i një 5-vjeçari” – tha ai në mënyrën e tij karakteristike. Kur presidenti amerikan u pyet për mavijosjen, ai deklaroi se nuk e kishte vënë re, edhe pse ajo ishte më se e dukshme.
“I thashë, “Hajde, më godit në fytyrë”, dhe ai e bëri”, – u tha Musk gazetarëve. Natyrisht, pavarësisht sqarimit mediat sociale u mbushën me komente nga njerëz që pyesnin veten se çfarë i ndodhi miliarderit.
Takimi ndodhi vetëm disa orë pas publikimit të një lajmi në New York Times se Musk dyshohet se përdori një kombinim drogash gjatë fushatës zgjedhore. Ai i mohoi kategorikisht këto lajme duke nisur sulmet ndaj gazetës. Trump deklaroi se “askush nuk mund t’i besojë gazetës NY Times”.
Presidenti amerikan tha se njeriu më i pasur në planet kishte sjellë “ndryshime kolosale” në Uashington dhe dënoi “sulmet, shpifjet dhe gënjeshtrat e shëmtuara” kundër tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.