Politike

Murrizi: Po përdorni Reformën në Drejtësi, por as ju s’keni certifikatë virgjërie

Në seancën e sotme plenare, e cila është e para pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Kuvendi diskuton për dekretin për ligjin e Përmbarimit Gjyqësor Privat, të cilin e riktheu Presidenti i Republikës për shqyrtim, me arsyetimin se është i paqartë.
Deputeti Myslim Murrizi, në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, ka kritikuar maxhorancën duke theksuar se po tenton të përdorë reformën në drejtësi si kalë beteje për të sulmuar pjesën tjetër.
“Ky ligj i Përmbarimit Gjyqësor është pjesë e paketës e reformës në drejtësi. Shoh në foltoren e Kuvendit, që kjo maxhorancë reformën në drejtësi e përdor si kalë beteje për të sulmuar pjesën tjetër. Por ku e gjeni këtë siguri që qenka vetëm për pjesën tjetër? Apo ju keni certifikatën e virgjërisë në këtë pjesë? Shkarkojnë prokurorë dhe gjyqtarë se pse kanë ndërtuar një shtëpi në 1996 dhe lënë në detyrë persekutorë që kanë vrarë deri në 1990”, është shprehur Murrizi. Ndër të tjera, ai tha se reforma në drejtësi duhet të veprojë për të gjithë njëlloj.
“Lufta juaj është personale, luftë mes dy palë komunistësh. Reforma në drejtësi së pari të veprojë për ju. Haramin nuk do ta gëzojë askush, as çunat që ishin dhe as çunat që janë këtu”, tha ndër të tjera Murrizi.
Kryeministri Rama nuk është i pranishëm në seancën e sotme plenare, pasi ndodhet në Poloni dhe do të marrë pjesë në Konferencën e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë