Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se janë duke parë alternativa të mundshme se si të rregullojnë çështjen e kriptovalutave në Kosovë.
Ai theksoi se janë duke menduar një zgjidhje afatgjatë, sepse nuk mund të shfrytëzohet çmimi i energjisë elektrike si për amvisëri ashtu edhe për pajisje të kriptovalutave që për dikë është fitimprurëse.
“Vendimi është i përkohshëm, por megjithatë unë mendoj se ne duhet ta mendojmë në afatgjatë këtë çështje. Duke e shfrytëzuar çmimin e energjisë elektrike që është i paraparë për amvisëri për t’i përmbushur nevojat bazike për ta ngrohur ambientin, ose për të zier ushqim, e ta shfrytëzojmë për dikë që është fitimprurëse. Ose duhet të ndryshojë sistemi tarifor që ata të kalojnë në një tarifë tjetër ose duhet të shihet një zgjidhje afatgjatë. Sepse edhe të kriptovalutat ka sisteme të ndryshme”, tha Murati. Ai shpjegoi që janë dy sisteme për prodhimin e kriptovalutave, njëra që konsumon energji elektrike në mënyrë intensive e tjetra që konsumon më pak.
Murati po ashtu tha se “në një situatë, kur nuk mund t’i përmbushim gjenerimet e energjisë elektrike, sidomos në periudhën shtator-mars, nuk mund t’i përmbushim nevojat vetjake, është problem”.
“Sa i përket aspektit të konfiskimit dhe procedurave ligjore, këto janë gjëra që i dinë më mirë organet e rendit”, tha Murati.
Ai foli edhe për aksionet e Policisë së Kosovës, ku tha se 272 pajisje të sekuestruara shpenzojnë energji elektrike sa një fshat me 500 shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.