Futboll

Mungon vetëm goli në Vllaznia-Tirana, shkodranët ndalen nga shtylla

Gazeta Si – Supersfida e javës së 12-të të Superiores, Vllaznia-Tirana, përfundoi në barazim 0-0. ‘Klasikja e Shqipërisë’, e zhvilluar sot në “Selman Stërmasi’, në fakt pati ritëm dhe raste, por mungoi goli që do t’i jepte fitoren njërës prej skuadrave.

Rastin më të mirë e patën shkodranët në pjesën e parë, me anë të Aralicës. Goditja e sulmuesit kroat të Vllaznisë u ndal nga shtylla, që shpëtoi Tiranën. Skuadra e Shehit iu afrua golit me Xhixhën, por edhe ai nuk mundi ta çonte topin në rrjetë. Gjithçka është mbyllur në ‘paqe’, me Tiranën që shkon në 22 pikë dhe ruan kryesimin, pavarësisht rezultatit të Partizanit.

Vllaznia ngjitet në kuotën e 19 pikëve, por ndjen tashmë shumë pranë Egnatian e Shpëtim Duros, që sot mundi 2-0 Laçin. Me këtë fitore rrogozhinasit afrohen shumë me zonën europiane. Gjatë 4 ndeshjeve të fundit kanë mundur Kukësin, Partizanin dhe Laçin, ndërkohë që janë mundur vetëm nga Tirana.

Kukësi mbetet në krizë. Në ndeshjen e sotme ndaj Kastriotit vetëm në kohën shtesë arriti të shmangte humbjen, duke barazuar në 1-1. Skuadra veriore qëndron në zonën e ftohtë të renditjes, me 11 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë