Politike

Mungojnë molotovët dhe tensionet, mbyllet për më pak se 1 orë protesta para bashkisë

Nga Gazeta Si- Është mbajtur protesta e radhës para bashkisë së Tiranës, organizuar nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, si person i lidhur me dosjen “5D”.

Kjo ishte protesta më e qetë deri më tani, e 15-a në radhë, e cila mbaroi për më pak se 1 orë. Në protestë munguan molotovët si dhe përplasjet e protestuesve me policinë.

Gjithsesi, në protestë nuk kanë munguar incidentet e vogla, përfshi edhe djegien e disa gomave, dhe hedhjen e vezëve drejt godinës së Bashkisë së Tiranës.

Policia ka ndërhyrë për të fikur flakët që iu vendosën gomave, ndërsa kanë vijuar akuzat në drejtim të Kryebashkiakut Veliaj dhe SPAK.

“Arrestuan dje me një shoë të turpshëm, madje me porosi të Erion Veliajt, Ilir Beqajt.

…Ne jemi në mes të korrikut dhe temperaturat janë të larta, por i lartë është edhe zemërimi i qytetarëve, e i opozitës. Do të vijojmë kauzën tonë derisa ky grup i strukturuar kriminal që ndodhet në bashki të shkojë para drejtësisë”, tha në fjalën e tij Belind Këlliçi.

Këllici bëri edhe një thirrje për protestuesit, duke i ftuar të zhvendosen në protestën e radhës para Kryeministrisë, më 11 korrik.

“Protestën e radhës do ta zhvendosim para kryeministrisë, në datën 11 korrik për të protesuar kundër kreut të organizatës Rilindja”, tha Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë