GjKKO ka shtyrë për në datën 2 shkurt seancën paraprake ndaj Fatos Tushes, ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për abuzim me tenderë dhe shpërdorim detyre.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e dy avokatëve të ish-kryebashkiakut të Lushnjës. Tushe u arrestua në korrik të vitit të kaluar dhe prej asaj kohe ndodhet i arrestuar.
Në 23 dhjetor, Prokuroria ka dërguar dosjen në gjykatë dhe u ka komunikuar akuzat zyrtare, ish-kryebashkiakut Tushe, Flamur Peqinit, Xhemal Haskos, Blerta Turukut, Ani Simonit, Andri Mushajt, Margarita Gjermenit, Bujar Muratit, Ibrahim Lamit, Xhemal Haskos dhe Gazment Çelës.
Mbi Tushen rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi rezulton të jetë i përfshirë në një tender abuziv me fond rreth 24 milionë lekët për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Tushe u arrestua në 6 korrik të këtij viti dhe u shkarkua pa dia ditësh si kryebashkiak i Lushnjës me vendim të qeverisë, pasi u vu nën hetim nga GJKKO për korrupsion.
Ai ndodhet në burg prej disa muajsh, edhe pse ka tentuar disa herë të marrë lirinë nga GJKKO, për shkak se sipas tij ka probleme shëndetësore.
Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall kompania ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqej shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.
Ish-kryebashkiaku ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti.
Po ashtu, dyshohet se ai ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Fatos Tushe u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.
Tushe, ka hequr dorë nga kërkesa në Gjykatën Kushtetuese pas ankimimit për shkarkimin nga detyra që iu bë me vendim qeverie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.