Analize

Mungesa e transparencës për drejtuesit e rinj të BE mund të sjellë rënien e pjesëmarrjes në zgjedhjet e qershorit

Nga Luigi Daniele – Ka një paqartësi të madhe, për të mos thënë një mungesë të hapur korrektese mbi mënyrën se si kandidatët për drejtuesin e ri të Komisionit Evropian dhe media të ndryshme e përshkruajnë mënyrën se si do të bëhet zgjedhja.

Nëse është e vërtetë, që çdo grupim politik në Parlamentin Evropian zgjedh një figurë për ta propozuar, është edhe më e vërtetë se këto propozime nuk janë të detyrueshme për t’u marrë në konsideratë, dhe që ato mund të shpërfillen gjatë negociatave që zhvillohen pas mbarimit të zgjedhjeve.

Sistemi i Spitzenkandidaten, i shfaqur fillimisht në vitin 2014, synonte të ri-propozonte dinamikën kombëtare në një nivel evropian. Sipas kësaj praktike, partitë ia tregojnë paraprakisht elektoratit të tyre kandidatin që do të udhëheqë qeverinë e re.

Në kontekstin evropian të kohës, dhe në synimet e Martin Schulz, presidenti socialist i Parlamentit Evropian në vitet 2014-2017, që ishte edhe krijuesi i këtij mekanizmi, sistemi duhej ta bënte më të dallueshëm ndikimin e votës së qytetarëve tek kreu i ri i Komisioni Evropian por edhe për politikat evropiane.

Ai shoqërohet nga një sistem listash zgjedhore transnacionale, që shtrihet përtej zonave zgjedhore kombëtare. Pra në parim, ishte një përpjekje e lavdërueshme dhe e guximshme për të krijuar një sistem zgjedhor të vërtetë evropian, duke inauguruar një praktikë, e cila me kalimin e kohës, duhej të ishte përfshirë edhe në rregulloret zgjedhore.

Tradita e Spitzenkandidaten vazhdon ende, por projekti i listës transnacionale është ndalur, dhe nuk është e sigurt nëse në legjislaturën e ardhshme, forcat politike në favor të saj do të jenë sërish shumicë. Në këtë situatë, zgjedhja se kush do ta drejtojë Komisionin Evropian është shumë e ngjashme me zgjedhjen e kryeministrit që zhvillohet në Itali.

Edhe këtu forcat politike propozojnë emrat e tyre për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, ndërsa në Bruksel kandidatët janë grupime politike të Parlamentit Evropian. Dhe ashtu si në Itali, është parlamenti ai që zgjedh qeverinë dhe jo votuesit.

Edhe në Bruksel është Parlamenti Evropian ai që zgjedh Komisionin. Në të dyja rastet kjo ndodh në bazë të marrëveshjes së arritur mes forcave politike të afta për të formuar shumicën.

Pra, emrat e propozuar para zgjedhjeve nuk janë vetëm tregues, por mund të bëhen edhe një pengesë në fazën e negociatave pas votave, kur çdo forcë politike synon të gjejë një emër sa më konsensual, një profil që jo gjithmonë u përshtatet atyre që shihen si aq të përparuar saqë të emërohen si Spitzenkandidat.

Kështu ndodhi edhe në vitin 2019, kur kandidati i Partisë Popullore Evropiane, forca e parë politike në PE, ishte Manfred Weber. Më pas, shumica që doli nga ato zgjedhje gjeti një marrëveshje mbi emrin e Ursula von der Leyen, presidentja aktuale e Komisionit dhe sot një Spitzenkandidat e PPE-së.

Për këtë arsye, nuk mund të mos buzëqeshësh kur ajo shpall kandidaturën e saj për një mandat të dytë, duke kujtuar edhe “herën e parë që kam kandiduar në 2019”, kur dihet se në realitet ajo nuk kandidoi kurrë, dhe se 5 vite më parë ishte një pretendente e dorës së dytë.

Ish-ministre gjermane, shumë e kritikuar në vendin e saj dhe gati e panjohur në nivel evropian. Nëse shumica ra dakord për të, kjo ndodhi sepse forcat e tjera politike e panë si më të leverdishme heqjen dorë nga kandidatura e Weber në favor të një personi me shumë më pak ndikim në parti (edhe pse ndikimi i Von der Leyen u rrit në vitet në vijim).

Por me gjithë përvojën e vitit 2019, nuk mund të thuhet ende se ka dështuar plotësisht mekanizmi Spitzenkandidaten. Në vitin 2014, Jean-Claude Juncker u zgjodh në Komisionin si kandidat i Partisë Popullore Evropiane, dhe sot Von der Leyen mund të jetë në gjendje të fitojë nominimin për një mandat tjetër.

Për më tepër, një forcë politike që arriti të marrë shumicën në PE, nuk ka nevojë ta negocionte nominimin me askënd. Një skenar jo shumë i mundur në një sistem zgjedhor proporcional si ai evropian, por që nuk mund të përjashtohet tërësisht.

Martin Schulz e cilësoi kohët e fundit si të “gabuar” zgjedhjen e vitit 2019, duke qenë se praktika e Spitzenkandidaten  ka lindur për të “forcuar perceptimin se Evropa është një sistem demokratik, dhe se asgjë nuk vendoset nga prapa skene”.

Në fakt, zgjedhja për të propozuar një emër dhe më pas për të votuar për një tjetër, mund t’i zhgënjejë votuesit nga projekti evropian, edhe nëse ky veprim justifikohet nga konfigurimi pas-zgjedhor i parlamentit dhe nevoja për të arritur në fund një marrëveshje.

Sërish janë shumë të dukshme ngjasimet me Italinë: ndonëse kreu i qeverisë zgjidhet nga parlamenti, zakoni i propozimit të kandidatëve që para zgjedhjeve, ka kultivuar tek disa segmente të elektoratit ndjenjën e mosdëgjimit nga Brukseli, kur më vonë këta kandidatë përjashtohen nga gara.

Prandaj, përgjegjësia politike pas zgjedhjes për të propozuar një Spitzenkandidat, është shumë më e rëndë se sa mund të duket; ashtu siç është edhe braktisja e emrit të zgjedhur për të arritur një marrëveshje. Tek e fundit, nëse objektivi i krijimit të këtij sistemit ishte krijimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis elektoratit dhe Komisionit Evropian, tani rreziku është se mund të arrihet efekti i kundërt.

Në këtë aspekt, një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë edhe mediat:nëse mekanizmi zgjedhor dhe praktikat evropiane të negociatave nuk përshkruhen në mënyrën e duhur, atëherë është e lehtë të ushqehet retorika që e sheh votën për Parlamentin Evropian si të shkëputur nga balanca e pushtetit të Komisionit Evropian, dhe rrjedhimisht edhe nga politikat që zbatohen.

Burimi: Linkiesta/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim: Luigi Daniele jep mësim dhe hulumton në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtën Penale Ndërkombëtare në Universitetin Nottingham Trent


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë