Shendet

Mungesa e shpeshtë e jodit radioaktiv- Sa po i vret shqiptarët me kancer të tiroides?!

Nga Gazeta Si- Nadirja, një grua rreth të 65-ve, pesë vite më parë iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në tiroide për shkak të kancerit. Sipas procedurës, mjeku i përshkroi Nadires trajtimin me jod radioaktiv por Spitali Universitar “Nënë Tereza” asokohe kishte mungesë të jodit radioaktiv.

Fëmijët e Nadires e siguruan ‘medikamentin’ privatisht dhe ia kryen trajtimin në shtëpi.

“Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore sepse ka rrezik. Por unë e kisha të domosdoshëm trajtimin sepse kisha kancer agresiv. Bashkëshorti dhe djali beqar u larguan nga shtëpia për dy javë. Unë u mbylla në dhomën e gjumit dhe vajza gatuante në shtëpinë e saj dhe ma sillte. Ajo e mori përsipër se ishte nënë e dy fëmijëve dhe nuk kishte ndërmend të bënte fëmijë tjetër. Sepse ky lloj “medikamenti” ndikon në fertilitet. Pas dy javësh, vajza e leu dhe dezinfektoi shtëpinë”, tregon Nadirja për Gazetasi.al.

Ajo nuk kujton se sa i ka kushtuar trajtimi, “por di që ka kushtuar shtrenjtë”.

Jodi radioaktiv është trajtim për tiroiden tepër aktive (hipertiroidizëm) dhe disa lloje të kancerit të tiroides. Termi “radioaktiv” mund të tingëllojë i frikshëm, por është një trajtim i sigurt, përgjithësisht i mirë toleruar dhe i besueshëm që synon qelizat e tiroides, kështu që ka pak ekspozim ndaj pjesës tjetër të qelizave të trupit.

Trajtimi me jod radioaktiv përfshin marrjen e tij në formë të lëngshme ose në formë kapsule me qëllim që të vrasë qelizat kancerogjene. Gjatë trajtimit trupi merr veti radioaktive, prandaj bëhet në kushte izolimi total. Sasia dhe ditët e trajtimit vendosen nga mjeku në bazë të agresivitetit të kancerit apo sëmundjes tjetër.

Problemi qëndron se në mungesë të këtij trajtimi, pacientët rrezikojnë jetën.

Dhe gjatë vitit 2022 ky trajtim ka munguar për të paktën 180 pacientë.

Këtë e konfirmon edhe Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen që i ka kthyer Gazetasi.al.

“Bazuar në informacionin e Shefit të Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, rezulton se ky trajtim po vijon rregullisht, pas disa problematikave për arsye madhore, të natyrës ndërkombëtare (uljes së kapacitetit të centraleve bërthamore dhe prokurimit nga agjencia atomike), të cilat kanë shtyrë në kohë furnizimin për vitin 2022”, citohet në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë.

LEXO EDHE:
-Frika nga rrezatimet bërthamore, shtohen shitjet e jodit në farmacitë e Tiranës
-Frika nga katastrofa bërthamore: Europianët po boshatisin farmacitë nga tabletat e jodit

Sipas kësaj të fundit, trajtimi vijon me doza terapeutike 100 mci për 4 persona, me doza ablative 25 mci për 10 persona dhe WBS 5 mci për 10 persona sipas nevojave. 

Numri i rasteve të reja varion mesatarisht nga 10-15 raste në muaj. Por ministria nuk shpjegon se çfarë ndodh me pacientët që kanë pritur dhe sa ka ndikuar mungesa e trajtimit.

Burimet e Gazetasi.al bëjnë me dije se ky trajtim nuk ka munguar vetëm gjatë vitit 2022. Një pjesë e pacientëve që kanë mundësi iu drejtohen spitaleve private që e disponojnë këtë trajtim, të tjerë sakrifikojnë e bëjnë në shtëpi, kurse të pamundurit përballen me fatin, që në një pjesë të mirë të rasteve mund të jetë fatal.

Pasi sipas të dhënave në burime të huaja informacioni si revista mjekësore, edhe pas operacionit dhe trajtimit me jod radioaktiv, kanceri i tiroides që zhvillohet ngadalë, mund të kthehet pas disa vitesh. Imagjinoni nëse ai nuk merr trajtimin e duhur në kohë.

Gazetasi.al ka biseduar me mjekë endokrinolog, të cilët për arsye profesionale nuk duan të citohen. Ata kanë shpjeguar se trajtimi me jod radiokativ kryhet në dhoma të izoluara me plumb për shkak të radioaktivitetit të lartë. Pacientët pas operacionit trajtohen në disa seanca me jod radioaktiv sipas stadit të sëmundjes.

Mjekët theksojnë se ky shërbim nuk është ofruar në shtet prej disa vitesh, por ofrohet në privat. Në spitalet private një seancë kushton përafërsisht nga 400-1000 euro në varësi të nevojës për sasinë e caktuar të jodit.

Personat që trajtohen me jod radioaktiv duhet të qëndrojnë vetëm në dhomë për të mos rrezikuar të tjerët.

Mjekët thonë se Ministria e Shëndetësisë justifikohet për mungesën e këtij trajtimi në shtet me mos rinovimin e kontratave dhe luftën Ukrainë-Rusi pasi ky produkt importohet nga këto vende. Por ky trajtim ka nisur të mungojë në QSUT që më përpara se të niste lufta.

Disa mjekë supozojnë se kjo mungesë është shkaktuar për të favorizuar privatin.

Por ajo që është më e rëndësishmja është shëndeti i pacientëve. Për këtë shërbim është bërë një radhë e gjatë në pritje vit pas viti pasi shërbimi në shtet është pa pagesë, por me radhë sipas regjistrimit.

Ka pacientë që kanë rrezikuar njerëzit e familjes dhe dhomën e trajtimit e kanë sajuar në shtëpi.

Mjekët theksojnë se aq e fuqishme është kjo lëndë, sa pacientët për të udhëtuar me avion jashtë shtetit pas trajtimit, marrin një dokument që janë trajtuar me jod radioaktiv sepse në aeroport jep të njëjtin alarm sikur disponon lëndë narkotike.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dashur ti përgjigjej Gazetasi.al për këtë çështje. Ajo u detyrua të përgjigjej pjesërisht vetëm pas detyrimit që i bëri Komisioneri Për të Drejtën e Informimit ku Gazetasi.al u ankua konform ligjit “Për të Drejtën e Informimit”.

Si e trajton jodi radioaktiv hipertiroidizmin?

Tiroidja, një gjëndër në formë fluture e vendosur në pjesën e përparme të poshtme të qafës, prodhon hormone që rregullojnë metabolizmin e trupit dhe funksionet e tjera. Hipertiroidizmi përshpejton proceset e organizmit duke shkaktuar nervozizëm dhe ankth, rrahje të shpejta të zemrës, menstruacione të munguara ose të lehta, probleme me gjumin, dridhje duarsh dhe probleme të tjera.

Gjendra tiroide ka nevojë për jod për të prodhuar këto hormone. Tiroidja është organi më efikas në përqendrimin e jodit. Jodi radioaktiv trajton hipertiroidizmin duke dëmtuar ose shkatërruar qelizat e tiroides nëpërmjet rrezatimit.

Gjatë dhe pas trajtimit kërkohet të pihet shumë ujë pas marrjes së pilulës për të shpëlarë jodin radioaktiv të mbetur.

Shumica e pacientëve kanë nevojë për vetëm një dozë për hipertiroidizmin, e cila mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj. Nëse simptomat vijojnë pas gjashtë muajsh, mund t’ju duhet të marrin një dozë të dytë.

Si e trajton jodi radioaktiv kancerin e tiroides?

Llojet më të zakonshme të kancerit të tiroides (papilare dhe folikulare) zakonisht mund të trajtohen me doza të mëdha të jodit radioaktiv. (Dozat e Jodit Radioaktiv janë shumë më të larta se sa për trajtimin e hipertiroidizmit.) Terapia zakonisht jepet pas heqjes së gjëndrës tiroide për të shkatërruar çdo ind të mbetur të tiroides.

Një dozë “gjurmuese” e jodit radioaktiv mund të përdoret gjithashtu për të gjurmuar indin e mbetur të tiroides dhe/ose kancerin që mund të jetë përhapur në pjesë të tjera të trupit. Këto teste tregojnë nëse jodi përqendrohet në zonat që përmbajnë kancer tiroide dhe nëse nevojiten sasi të mëdha të tij për të shkatërruar mbetjet e kancerit.

Çfarë dozash duhet të merren gjatë terapisë me jod radioaktiv?

Gratë që janë shtatzëna ose në gji dhënie nuk duhet të trajtohen me jod radioaktiv. Shtatzënia duhet të vonohet të paktën gjashtë deri në 12 muaj pas trajtimit me jod radioaktiv për kancerin e tiroides. Ushqyerja me gji duhet të ndërpritet të paktën gjashtë javë përpara trajtimit dhe nuk duhet të rifillojë.

Në ditët menjëherë pas terapisë, pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm për këto masa paraprake të përgjithshme për të parandaluar ekspozimin radioaktiv ndaj të tjerëve. Mjekët duhet të japin udhëzime specifike se sa ditë duhet të ndiqen këto masa paraprake, të cilat varen nga fuqia e dozës që merret.

Pacientët gjithashtu duhet të shmangin kontaktin e zgjatur dhe të ngushtë fizik me të tjerët, veçanërisht fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Ditët e para duhet të qëndrojnë në një distancë prej të paktën 6 metra larg nga të tjerët dhe të shmangin vendet publike.

Gjithashtu, pacientët duhet të flenë në një shtrat të veçantë (të paktën 6 metra larg nga një i rritur tjetër) dhe të mos ndajnë me të tjerët enët e kuzhinës dhe gatimit, peshqirët dhe sendet personale. Duhet të lajnë duart shpesh dhe të bëjnë dush çdo ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë