Ne rrjet

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, plani i Gjermanisë për të tërhequr më shumë emigrantë

Gazeta Si - “Qëllimi ynë është ta bëjmë Gjermaninë vendin më modern të emigracionit në Evropë”, thotë Hubertus Heil, ministri gjerman i Punës.

Projektligji i qeverisë federale për hapjen e tregut të punës për qytetarët jashtë BE-së është gati. Bundestagu gjerman miratoi të premten ndryshimet e Ligjit mbi migracionin, me të cilat u ofrohet mundësi azilkërkuesve që jetojnë 5 vite e më tepër në Gjermani si dhe punëtorëve me kualifikime për të marrë një leje të përhershme qëndrimi.

Në Gjermani ka mungesë të fuqisë punëtore të aftë: Dhoma Gjermane e Tregtisë flet për një "hendek" prej 260,000 personash në vit, por Agjencia Federale e Punësimit vlerëson se ka deri në 400.000 vende pune të pambuluara.

Të ballafaquar me këtë deficit demografik në rritje, të rënduar nga numri i madh i “beby boomer” (gjenerata e lindur midis viteve 1950-1964), që po dalin në pension, gjenden edhe vende të tjera evropiane, me të cilat Gjermania konkurron në kërkimin e "best  and brightest”, më të mirëve dhe më të zgjuarve.

“Ne duhet të dëshirojmë vërtet imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, sepse ardhja e personelit të duhur do të sigurojë mirëqenien e Gjermanisë”, shpjegon Heil, anëtar i SPD-së, duke shtuar se është një reformë e vonuar, sepse në koalicion me CDU në qeveritë e Angela Merkelit, një hap i tillë ishte i paimagjinueshëm.

Plani i Heil-it është të hapë tregun gjerman të punës për qytetarët jo të BE-së, duke u ofruar atyre një leje qëndrimi nëse ata mund të provojnë trajnim profesional (megjithëse një certifikatë formale nuk do të jetë e detyrueshme) dhe të paktën dy vjet përvojë pune.

Njohja e gjuhës gjermane, frekuentimi ose një lidhje miqësie ose farefisnore me Gjermaninë dhe mosha e re, do të konsiderohen si elemente avantazhi për kandidatët.

Ata nuk do të duhet të kenë tashmë një kontratë pune në xhep, e cila mund t’u jepet nga një kompani vetëm nëse asnjë gjerman nuk i është përgjigjur thirrjes.

Në çdo rast, emigranti i punësuar nuk mund të ketë një pagë më të madhe se ajo e kolegëve të tij gjermanë.

Ambasadat gjermane jashtë vendit dhe zyrat e emigracionit në Gjermani, do të shndërrohen në “Qendra të Mirëpritjes”, të cilat në mënyrë jo-burokratike duhet ta bëjnë më të lehtë emigracionin me viza të shpejta.

Megjithatë, Dhoma e Tregtisë këmbëngul se ligji duhet të hapë tregun e punës edhe për personat e pakualifikuar, të cilët deklarohen të gatshëm për të ndjekur kurse të formimit profesional pas mbërritjes në Gjermani.

Më tej, ai kërkon heqjen e tavanit të pagave për gjermanët e punësuar, pasi është diskriminues.

Pasoja e planit do të jetë edhe reforma e të drejtës për shtetësi, e prezantuar së fundmi nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, e cila dëshiron t'u ofrojë shtetësinë gjermane pas 5 vitesh qëndrimi emigrantëve që nuk varen nga subvencionet shtetërore (tani kërkohen 8 vite) për të intensifikuar ndjenjën e përkatësisë ndaj vendit dhe për të arritur një integrim më të mirë.

Një lehtësim, pra dhënia e shtetësisë edhe pa njohuri të gjuhës, do të futej për emigrantët e ardhur në vitet 1960 dhe 1970, të njohur më mirë si “Gastarbeiter”, të cilët, sipas fjalëve të ministres, "kanë bërë shumë për mirëqenien e Gjermanisë dhe të cilëve nuk i është dhënë kurrë një program real integrimi”.

Opozita kristiandemokrate, por edhe disa deputetë të FDP, parti e cila është gjithashtu pjesë e mazhorancës qeveritare, e sulmojnë projektin me gjithë zemër, duke parashikuar skenarë të errët të migrimeve masive në sistemin social dhe duke paralajmëruar se janë kundër një “jete të ëmbël” të garantuar nga i ashtuquajturi “njollë sociale”.

Në realitet, vetë kreu i CDU-së, Friedrich Merz, nuk ishte më në gjendje të mohonte mungesën e personelit të kualifikuar dhe deklaroi se ishte i hapur për shqyrtimin e propozimeve.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë