Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilita hoqi dorë nga qeveria për shkak të ndihmës së munguar në mesin e një lufte që po ndodh në pragun e saj dhe qëllimet e Moskës për të destabilizuar vendin.
Presidentja Maia Sandu njoftoi më vonë se këshilltari i saj i sigurisë Dorin Recean do të bëhej kryeministër. “Ekonomia dhe siguria jonë kanë nevojë për fillim dhe qeveri të re për tu listuar si një vend i lirë dhe demokrat”-tha Sandu.
Që nga nisja e luftës para një viti, Moldavia Moldavia është përballur me një fluks refugjatësh ukrainas, ndërprerjen e furnizimit me gaz dhe energji elektrike nga Rusia dhe një kolaps në tregtinë e jashtme, duke e çuar inflacionin deri në rreth 30% dhe duke shkatërruar ekonominë.
Në të njëjtën kohë, qeveria pro-europiane e Gavrilitas ka tentuar të kryejë reformat e kërkuara nga Brukseli para se të nisë bisedimet për integrim në BE, duke dobësuar mbështetjen publike në republikën post-sovjetike ku ndjenja pro-ruse ka rrënjë të thella historike.
Dorëheqja e saj të premten erdhi menjëherë pasi një raketë ruse e gjuajtur në Ukrainë shkeli hapësirën ajrore të Moldavisë dhe një ditë pasi agjencia e inteligjencës e vendit tha se ishte në dijeni të planeve të shërbimeve të sigurisë të Moskës për të minuar shtetin moldav.
“Moldavia pritet me krahë hapur brenda BE-së, Moldavia ka miq”, – tha Gavrilita, e cila u emërua në gusht 2021, në një konferencë të premten, në Kishinau. “Nëse qeveria do të kishte të njëjtën mbështetje në shtëpi, ne do të kishim përparuar më shpejt.”

Demonstruesit gjatë vjeshtës së kaluar dolën në rrugët e Kishinaut për disa javë, në protesta që u organizuan nga partia pro-ruse Șor. Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e Sandu dhe qeverisë, duke i fajësuar ata për një rritje të katërfishtë të çmimit të gazit që nga viti i kaluar dhe për inflacionin e lartë. Por dimri ka rezultuar më i butë se sa pritej dhe Moldavia ka arritur të shkurtojë varësinë e saj energjetike nga Gazprom i Rusisë, veçanërisht duke përdorur një tubacion që lidh vendin me Rumaninë.
“Ne kemi ndërmarrë hapa vendimtarë drejt garantimit të pavarësisë energjetike të vendit,” -tha Gavrilita në fjalimin e saj të largimit të premten. Ajo theksoi gjithashtu fillimin e ndërtimit të linjave të reja elektrike për t’u lidhur me Rumaninë.
Megjithatë, Gavrilita i tha Financial Times këtë javë se Moldavia po i nënshtrohej “luftës hibride” nga Rusia, duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike dhe operacionet e ndikimit.
Shërbimet e sigurisë të Moldavisë thanë të enjten se kishin identifikuar operacione të inteligjencës ruse që tentonin “aktivitete subversive me qëllim minimin e shtetit të Republikës së Moldavisë, destabilizimin dhe cenimin e rendit publik”.
Kishinau ka akuzuar gjithashtu Rusinë për përdorimin e forcave të saj brenda enklavës së Transnistrisë të kontrolluar nga separatistët e Moldavisë për të destabilizuar vendin nëpërmjet sulmeve në infrastrukturën e saj, duke përfshirë lidhjet energjetike që kalojnë përmes enklavës me pjesën tjetër të vendit.
BE e bëri Moldavinë një vend kandidat për t’u bashkuar me bllokun në qershor, së bashku me Ukrainën. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të presidentit rus Vladimir Putin shkurtin e kaluar, Brukseli ka rritur mbështetjen për Kishinau në formën e ndihmës financiare dhe humanitare dhe së fundmi ra dakord për një paketë ndihme për sigurinë./Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




