Euro2024

“Mund të fitonim 9-1”, De La Fuente: Pushim dhe më pas shijojmë ndeshjen me Gjermaninë

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente nuk mund të mos ishte i lumtur pas performancës së të besuarve të tij në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. “La Roja”, fitoi me rezultatin 4-1 dhe u kualifikua në çerekfinale aty ku e pret ndeshja me Gjermaninë vendase.

Pas sfidës me Gjeorgjinë, tekniku i spanjollëve, De La Fuente theksoi se ekipi i tij mund të kishte shënuar edhe tetë apo nëntë gola ndërsa shtoi se është i lumtur me faktin që lojtarët po shijojnë futbollin.

“Jemi shumë të lumtur sepse e dimë sa e vështirë është të mbërish deri në këtë fazë të kompeticionit, e kemi parë edhe se sa kanë vuajtur kombëtaret e tjera. Ndaj nuk është diçka e lehtë dhe për t’u nënvlerësuar.

Rezultati i ndeshjes është pak i gënjeshtërt sepse fare mirë mund të kishim fituar me shifrat 8-1 apo 9-1. Arma e tyre më e fortë ishte kundërsulmi, e dinim këtë, por vuajtëm pak. Ata nuk bënë asnjë goditje në portë, jemi të lumtur për kualifikimin.

Ndeshja me Gjermaninë? Së pari duhet të pushojmë dhe më pas të rikthehemi në fushë, të jemi vetvetja dhe të shijojmë futbollin tonë. Duhet të japim maksimumin ndaj Gjermanisë pasi nuk ka mënyrë tjetër për të fituar kundër tyre”, u shpreh De La Fuente. /Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë