Gazeta Si – Trofeu i shtatë sezonal për Iga Shviatek, titulli i tretë Slam në karrierë. Numri 1 në botë nuk i dha asnjë mundësi tunizianes Ons Jabeur në finalen e Us Open.
Shviatek shton edhe trofeun e Us Open 2022 në palmaresin e saj. Në moshën 21-vjeçare numëron tre turne Slam të fituar, që në këto kohë është një numër fantastik. Polakja është tenistja e parë që fiton dy ‘major’ në të njëjtin vit që nga koha e Anzhelik Kerber në 2016-ën.
Naomi Osaka ka fituar dy turne radhazi dy herë (Us Open dhe Australian Open), por të fitosh dy Slam-e brenda një viti është një tregues i qartë vazhdimësie dhe dominimi. Këtë po tregon polakja në 2022-shin.
Në finalen e Nju Jorkut, Shviatek tregoi më të mirën ndaj Ons Jabeur, duke e mposhtuar 6-2 dhe 7-6, pas një ore e 51 minutash. Tunizianja del e humbur për herë të dytë radhazi në takimin me historinë për t’u bërë afrikania e parë që fiton një Slam. Në Uimbëlldon u mund nga Elena Ribakina.
How it sounded when @iga_swiatek became a #USOpen champion. 📻 pic.twitter.com/iITAiBr7U4
— US Open Tennis (@usopen) September 10, 2022
Të gjithë shpresonin në fakt për një ndeshje më të luftuar. E tillë ishte vetëm në setin e dytë, edhe pse në asnjë moment nuk u mendua se Shviatek do ta humbte ndeshjen. Polakja fitoi pa problem setin e parë 6-2, ndërsa të dytin e mbylli 7-6.
Iga shijoi në fund duartrokitjet e publikut në Arthur Ashe, që bëri edhe pak tifo kundër, por vetëm sepse donte një ndeshje të më fortë. Shiatek konsolidohet në pozicionin e numrit 1 në botë me gati dyfishin e pikëve të Jabeur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.